Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se më 22 janar 2026 ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulime të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas komunikatës, hetimet kanë për qëllim sigurimin e provave relevante dhe identifikimin e personave përgjegjës në komunat që janë në kompetencë territoriale të kësaj prokurorie.
“Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga Prokurori i Shtetit dhe pas mbajtjes së takimeve koordinuese me Policinë e Kosovës, si dhe pas raportit të pranuar nga ana e tyre, për komunat nën kompetencë të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ju njoftojmë si në vijim”, thuhet në njoftim.
Në komunën e Ferizajt, sipas raporteve që përfshijnë gjithsej 153 vendvotime, keqpërdorimet me vota kanë rezultuar të jenë në një përqindje të ulët. Prokuroria bën të ditur se “nga 153 vendvotime, vetëm një kandidat në të gjitha qendrat ka pasur shtim prej shtatë (7) votash, ndërsa për kandidatët e tjerë rezulton nga një (1) deri në tre (3) vota”.
Edhe në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve është vlerësuar si e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
Ndërkaq, në komunën e Shtimes janë evidentuar manipulime në tri qendra të votimit, me një përqindje më të lartë të parregullsive. “Ka rezultuar një numër pak më i madh i shtimit të votave për tre kandidatë, prej dhjetë (10) deri në dyzet e pesë (45) vota”, thuhet më tej në komunikatë.
Në lidhje me këto dyshime, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që të intervistojë kryesuesit e qendrave të numërimit në Ferizaj dhe Han të Elezit, ndërsa në Shtime të intervistohen komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve.
Sa i përket komunave të Kaçanikut dhe Shtërpcës, Prokuroria njofton se është ende në pritje të raporteve përfundimtare nga Policia e Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj do të vazhdojë me hetime në procedurë të rregullt, deri në intervistimin e të gjithë të dyshuarve, përveç nëse paraqitet ndonjë rrethanë tjetër që kërkon veprime tjera hetimore shtesë”, thuhet në njoftim.