Në një fjalim të mbajtur në Parlamentin Evropian, gjatë konferencës së organizuar nga grupi parlamentar Renew Europe, Besiane Musmurati nga Partia Demokratike e Kosovës theksoi “domosdoshmërinë e monitorimit të rreptë të tendencave autoritare” të qeverisë së fundit në Kosovë.
“Në Kosovë po instalohet një mendësi e rrezikshme qeverisëse”, tha Musmurati, duke përmendur disa problematika kryesore:
Minimi i rendit kushtetues: “Me mbi 15 shkelje të Kushtetutës, qëllimi është i qartë – shndërrimi i institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore në vegla për përndjekjen e kundërshtarëve politikë, mediave dhe shoqërisë civile.”
Liria e medias në rënie: “Sulmet sistematike ndaj gazetarëve dhe tentativat për mbylljen e mediave na kanë zbritur në nivelet më të ulëta historike sipas ‘Reporters Without Borders’.”
Presioni mbi gjyqësorin: “Ndërhyrjet direkte dhe linçimet publike ndaj prokurorëve e gjyqtarëve po cenojnë rëndë shtyllën e shtetit të së drejtës.”
Musmurati theksoi se “Republika e Kosovës është arritja jonë më e madhe historike. Liria brenda saj është po aq e shenjtë sa liria e vetë shtetit. Rruga jonë është ajo e vlerave perëndimore dhe e lirisë, jo e autoritarizmit.”
