Hapen pika të reja të Urgjencës në Bogë dhe Vitomiricë

Prishtinë | 09 Shk 2026 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Pejës ka funksionalizuar dy pika të reja të Urgjencës, në Bogë të Rugovës dhe në Vitomiricë, duke zgjeruar kështu rrjetin e shërbimeve shëndetësore emergjente dhe duke e afruar ndihmën mjekësore më pranë qytetarëve.

Përmes një njoftimi në Facebook, bëhet e ditur se në hapjen e këtyre pikave ishin të pranishëm kryetari i kësaj komune Gazmend Muhaxheri dhe Drejtori për Shëndetësi në këtë qytet, Petrit Loci.

Njësia e Urgjencës në Bogë u shërben banorëve të zonës së Rugovës dhe fshatrave përreth, duke mundësuar ndërhyrje të shpejtë mjekësore në një rajon me qasje më të vështirë, veçanërisht gjatë sezonit dimëror dhe fluksit turistik. Orari i shërbimeve shëndetësore në këtë njësi do të jetë 7 ditë të javës, nga ora 08:00 deri në ora 18:00.

Ndërkaq, pika e Urgjencës në Vitomiricë do të mbulojë një numër të madh vendbanimesh, përfshirë: Vitomiricën, Ozdrimin, Dubovën, Novosellën, Jabllanicën, Radavcin, Katundin e Ri, Treboviqin, Nabërgjanin, Ruhotin, Lutogllavën dhe Trestenikun, duke siguruar shërbime emergjente më të shpejta dhe më të qasshme për qytetarët. Orari i shërbimeve shëndetësore në këtë njësi do të jetë 7 ditë të javës, nga ora 07:00 deri në ora 19:00.

“Të dyja njësitë janë të pajisura me staf shëndetësor profesional dhe infrastrukturë adekuate për ofrimin e ndihmës së parë, stabilizimin e pacientëve dhe referimin e tyre në institucionet përkatëse shëndetësore. Hapja e dy pikave të reja të Urgjencës është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Komunës së Pejës për përmirësimin e shërbimeve publike, me fokus të veçantë në shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme