Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë vizituar sot Komunën e Malishevës, ku janë pritur në takim nga kryetari i komunës, Ekrem Kastrati. Gjatë takimit, Kastrati shprehu mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
Në këtë takim, përfaqësuesit e platformës prezantuan aktivitetet dhe angazhimin e tyre në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar, duke shprehur mirënjohje për përkrahjen e ofruar nga Komuna e Malishevës.
“Mbështetja që po marrim nga komunat dhe kryetarët e tyre dëshmon se kjo kauzë i tejkalon dallimet dhe buron nga vetë ndërgjegjja qytetare”, theksoi Eliza Hoxha.
Ndërkaq, Ismail Tasholli tha se ky marsh është një thirrje paqësore për respektimin e parimeve të drejtësisë dhe mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
“Ky Marsh nuk është kundër askujt, por do të mbahet për të ngritur zërin në mbrojtje të parimeve themelore të drejtësisë”, shtoi ai.
Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, u zotua për angazhim në mobilizimin e bashkëqytetarëve për pjesëmarrje sa më masive në Marsh.
“Kjo është një thirrje që meriton mbështetje të gjerë qytetare. U kam bërë dhe u bëj thirrje qytetarëve të Malishevës dhe të gjithë Kosovës që më 17 shkurt të bashkohen në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët”, deklaroi Kastrati.