Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës kundërshton kërkesën e Prokurorisë Speciale për dënime ndaj drejtuesve të UÇK-së

Prishtinë | 09 Shk 2026 | 21:36 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënimin prej 45 vjet ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës veç e veç, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke e cilësuar këtë qasje si politike, armiqësore dhe me pasoja të rënda historike e morale.

Në komunikatën e saj, shoqata vlerëson se kërkesa për dënime drastike nuk përfaqëson vetëm një akt juridik të diskutueshëm, por tejkalon kufijtë e një procesi penal individual.

“Kërkesa e Prokurorisë Speciale për dënime drastike ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën jo vetëm një akt juridik të diskutueshëm, por një akt politik me pasoja të rënda historike dhe morale.”

Sipas shoqatës, procesi gjyqësor ka humbur prej kohësh karakterin e një gjykimi individual dhe është shndërruar në një gjykim të vetë luftës çlirimtare të Kosovës.

“Ky proces ka kohë që ka pushuar së qeni thjesht një gjykim penal individual. Ai është shndërruar në një gjykim të vetë luftës çlirimtare të Kosovës, në një përpjekje për ta zhvendosur barrën morale dhe historike nga agresori tek viktima, nga shteti që kreu krime sistematike tek populli që u mbrojt.”

Në reagim theksohet se UÇK-ja nuk mund të trajtohet si strukturë kriminale, pasi ajo ishte përgjigje ndaj represionit dhe dhunës shtetërore serbe.

“UÇK-ja nuk ishte projekt kriminal, por përgjigjja e fundit e një populli të shtypur ndaj dhunës shtetërore, spastrimit etnik dhe mohimit të ekzistencës politike. Ta trajtosh udhëheqjen e saj si strukturë kriminale është të deformosh kontekstin historik dhe të relativizosh krimet e dokumentuara të Serbisë në Kosovë.”

Shoqata nënvizon se parimi i sundimit të ligjit nuk duhet të shkëputet nga e vërteta historike dhe proporcionaliteti moral.

“Askush nuk është mbi ligjin. Por ligji që shkëputet nga e vërteta historike dhe nga proporcionaliteti moral shndërrohet në instrument padrejtësie. Drejtësia selektive, e ndërtuar mbi narrativë politike dhe jo mbi standard të barabartë, nuk shëron plagë – i thellon ato.”

Më tej, paralajmërohet se kjo qasje rrezikon të prodhojë ndjenjë poshtërimi kolektiv dhe të kriminalizojë të drejtën për rezistencë.

“Kjo qasje e Prokurorisë Speciale nuk sjell pajtim, nuk sjell drejtësi për viktimat dhe nuk ndërton paqe. Ajo prodhon ndjenjë poshtërimi kolektiv dhe rrezikon të kriminalizojë vetë të drejtën për rezistencë ndaj shtypjes.”

Në fund të komunikatës, Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës thekson se vendi ka nevojë për një drejtësi që respekton të vërtetën historike.

“Kosova nuk ka nevojë për një drejtësi që rishkruan historinë, por për një drejtësi që e njeh dallimin mes agresionit dhe mbrojtjes, mes krimit dhe çlirimit.”

Të ngjashme