Kurti: Kërkesa për 45 vjet burgim në Hagë injoron kontekstin e luftës çlirimtare të UÇK-së

Prishtinë | 09 Shk 2026 | 21:50 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë për dënime prej 45 vjetësh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së, duke theksuar se kjo kërkesë është e shkëputur nga realiteti historik dhe politik i luftës në Kosovë.

Kurti ka deklaruar se thelbi moral dhe historik i luftës çlirimtare të UÇK-së lidhet drejtpërdrejt me mbijetesën dhe dinjitetin e popullit të Kosovës.

“Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit,” ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte bartëse e një lufte të drejtë dhe mbrojtëse, e zhvilluar në rrethana të okupimit të dhunshëm nga Serbia.

“UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror,” ka theksuar kryeministri.

Sipas tij, çdo përpjekje për të shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik dhe politik rrezikon të deformojë të vërtetën për luftën çlirimtare.

“Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte,” ka shtuar Kurti.

Duke folur për akuzat dhe kërkesën e Prokurorisë në Hagë, Kurti ka theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur asnjëherë plan për shfarosjen e popujve të tjerë apo të civilëve.

“Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve,” ka shkruar ai.

Kryeministri ka vlerësuar se kërkesa për dënime prej 45 vjetësh burgim nuk mbështetet në standarde të pranuara ndërkombëtare dhe injoron realitetin e luftës në Kosovë.

“Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakuum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare,” ka theksuar Kurti.

Ai ka nënvizuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë të palëkundura në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare dhe të së vërtetës historike.

“Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre,” ka shtuar Kurti.

Të ngjashme