Lëvizja Vetëvendosje nën udhëheqjen e Albin Kurtit bëjnë homazhe e vendosin lule te pllaka përkujtimore e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt në 19-vjetorin e rënies së tyre dhe protestës së 10 shkurtit të 2007-ës, raporton Ekonomia Online.
Nga aty lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes Albin Kurti ka treguar se si u organizuan me 10 shkurt 2007 për të kundërshtuar pakon e Martti Ahtisaarit, duke theksuar se atë 10 shkurt të 19 vjetëve më parë policia e UNMIK-ut ua ndërpreu marshin dhe doli jo për t’i ndaluar, por për t’i vrarë.
“10 shkurti i vitit 2007-të është një kujtim i gjallë i cili vlon në mendjet dhe trupat tanë. Më 10 shkurt para 19 vjetëve u mblodhëm në rrugën ‘Perandori Justinian’, aty ku LVV e kishte selinë e saj në qytezën Pejton. Nga rruga ‘Perandori Justinian’ vazhduam për rrugën ‘Garibaldi’ për të mbërritur te sheshi Skënderbe, por mu këtu marshin tonë e ndaloi policia e UNMIK-ut, pra në rrugën ‘Nënë Tereza’. Ishim mijëra demonstrues dhe bashkë me ne në ballë ishte edhe simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, i cili atëbotë ishte 71 vjeç. Në atë protestë ne po kundërshtonim pakon e emisarit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaarit, si një kompromis që shënonte padrejtësi për popullin tonë dhe të drejtat tona. Edhe vet Ahtisaari ka thënë që propozimi i tij është kompromis dhe ne ishim të bindur që ishte kompromis tepër i madh sepse kishte aq shumë koncesione përbrenda. Por gjashtë prej tyre ishin kryesore; së pari, në atë pako Kosova detyrohej të instalonte një decentralizim mbi baza etnike, ne konsideronim që kemi nevojë për decentralizim pas sovranitetit dhe njëkohësisht ky decentralizim duhet të jetë financiar e funksional por jo etnik. Tjetra parashihej një koncesion tjetër, ekstraterritorialiteti i kishave dhe manastireve ortodokse, që madje mbikëqyreshin serbe në 45 zona të veçanta. Ne ishim për bashkëpunim dhe bashkëveprim ndërfetar dhe jo për ndarje e përçarje. E donim Kosovën republikë demokratike e parlamentare ku vullneti i shumicës dominon por jo duke shkelur të drejtat e pakicave. Mirëpo kundërshtonim të gjitha privilegjet e mundshme që e dëmtojnë, e ndalojnë e gjymtojnë vullnetin e shumicës dhe kritikonim ulëset e rezervuara që shënonin një asimetri të brendshme në Republikën Demokratike duke e cenuar atë”, tha ai.
Kurti nga aty tha se edhe vet UNMIK-u ka pranuar fajin për vrasjen e Arben Xheladinit e Mon Balajt, por pavarësish t kësaj konkretisht thotë se nuk është kërkuar edhe as nuk u zbatua drejtësi ndaj tyre.
“Këto ishin koncesionet e mëdha që ne i kundërshtonim me trupat tanë në mënyrë paqësore. Por këtu ku jemi tani, u bllokua marshi ynë dhe menjëherë filloi gazi lotsjellës që bëri të vështirë të njohim njëri tjetrin e lëre më të shohim pak më tej kush ku është. Dhe vetëm 8 sekonda pas hedhjes së gazitlotjslles policia e UNMIK-ut filloi që me plumba gome të skaduar prej 11 vjetësh të qëllojë mbi trupat e demonstruesve kryesisht në kokat dhe gjokset e tyre. 232 plumba, 11 vjet skandence, 8 sekonda pas gazit lotsjellës, atëherë pak çka dukej mirë. E vranë Arben Xheladinin e Mon Balaj, u lënduan e plagosën rëndë e lehtë 84 protestues, në mesin e të cilëve më së rëndi ishin Hysni Hyseni, Dodaj i Prizrenit i cili ka vdekur më 29 janar 2020 nga një sëmundje akute, e të cilit në atë protestë i ishte verbuar syri nga plumbi i UNMIK-ut. Zenel Zeneli që është në mesin toën dhe sot e asaj dite ka dy plumba, dhe njërin pranë zemrës dhe Mustafa nag Lubizhda e Prizrenit i cili ka një shtojcë plastike në kafkën e tij për shkak e ka qëlluar në kokë plumbi i policëve të UNMIK-ut”, tha Kurti.
Kurti në fund të fjalës së tij tha se policia e UNMIK-ut të vetmin qëllim atë kohe e pati që t’i vrasë dhe jo t’i ndalojë.
“Arben Xheladini dhe Mon Balaj janë dëshmorë të vullnetit për liri ashtu siç shkruan në pllakën këtu, në rrugën ‘Nënë Tereza’ në qendër të kryeqytetit dhe ata janë kujtimi ynë i përhershëm në themelet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të kapitujve që pasuan në rritjen dhe ngritjen tonë gjithnjë në shërbim të popullit shqiptar dhe shtetit të Kosovës. Shumë prej jush jeni pjesëmarrës të asaj demonstrate të 10 shkurtit 2007 në të cilën numri i të arrestuarve ishte pesëfish më i vogël sesa numri i të plagosurve. Policia e UNMIK-ut pati dalë jo për të ndaluar apo arrestuar, por për të na vrarë. E vranë Arbenin dhe Monin mirëpo lindi diçka e pandalshme që është mishërim i vullnetit të popullit dhe përparimit të tij të vazhdueshëm.
