Këngëtarja Chappell Roan ka njoftuar se ka ndërprerë bashkëpunimin me agjencinë e talenteve të drejtuar nga Casey Wasserman.
Në një postim në Instagram, fituesja e “Grammy” ka shkruar se “që nga sot, unë nuk përfaqësohem më nga Wasserman, agjencia e talenteve e drejtuar nga Casey Wasserman. Unë i mbaj ekipet e mia sipas standardeve më të larta dhe kam gjithashtu detyrimin t’i mbroj ato. Asnjë artist, agjent apo punonjës nuk duhet të pritet ndonjëherë të mbrojë ose të anashkalojë veprime që bien kaq thellë ndesh me vlerat tona morale”.
Kreu i agjencisë, i cili është gjithashtu president i komitetit për Lojërat Olimpike Verore 2028 në Los Anxhelos, është ndër burrat e fuqishëm që përmenden në dokumentet e publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë në lidhje me hetimet për Jeffrey Epstein.
“Kam respekt dhe vlerësim të thellë për agjentët dhe stafin që punojnë pa u lodhur për artistët e tyre… Artistët meritojnë përfaqësim që përputhet me vlerat e tyre dhe që mbështet sigurinë dhe dinjitetin e tyre. Ky vendim pasqyron bindjen time se ndryshimi i vërtetë në industrinë tonë kërkon përgjegjësi dhe udhëheqje që fiton besim”, thuhet më tej në postim.
Dokumentet e publikuara më 30 janar tregojnë se Wasserman kishte shkëmbyer emaile flirtuese me të besuarën e Epsteinit, Ghislaine Maxwell.
Në një shkëmbim të vitit 2003, Wasserman i kishte shkruar Maxëellit: “Mendoj për ty gjatë gjithë kohës.Pra, çfarë duhet të bëj që të të shoh me një veshje të ngushtë prej lëkure?”.
Në një deklaratë të publikuar më 31 janar, Wasserman ka thënë se ndihet thellësisht i penduar për raportet me Ghislaine Maxwell, duke shtuar se ajo kishte ndodhur “shumë përpara se krimet e saj të tmerrshme të dilnin në dritë.”
“Unë kurrë nuk kam pasur një marrëdhënie personale apo biznesi me Jeffrey Epstein. Siç është dokumentuar gjerësisht, në vitin 2002 mora pjesë në një udhëtim humanitar si pjesë e një delegacioni të Fondacionit Clinton me avionin e Epsteinit. Më vjen jashtëzakonisht keq për çdo lidhje që kam pasur me cilindo prej tyre”, ka thënë ai.
Wasserman ka krijuar një agjenci sportive dhe talentesh që përfaqëson lojtarë kryesorë në futbollin amerikan, basketboll dhe bejsboll, si edhe aktorë të njohur si Adam Sandler dhe Brad Pitt.
Wasserman nuk është akuzuar për asnjë krim në lidhje me hetimin e Jeffrey Epstein.
Epstein ka vdekur në burg në Manhatan në vitin 2019, ndërkaq Maxëell aktualisht po vuan dënimin prej 20 vitesh burgim për trafikim seksual.