Avokati i Edmond Likës: Klienti im është i pafajshëm, presim proces të drejtë gjyqësor

Prishtinë | 12 Shk 2026 | 11:05 | Nga Gzim Mujaj

Avokati i Edmond Likës, Shpëtim Vishi, pas seancës gjyqësore tha se klienti i tij është deklaruar i pafajshëm për akuzat për vrasje të rëndë dhe se mbrojtja do të mbështesë çdo veprim që synon zbardhjen e rastit, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se mbrojtja kundërshton çdo përpjekje për të lidhur të mbrojturin e tij me bashkëkryerje të veprës penale, duke theksuar se rasti është shumë serioz dhe ka prekur gjithë opinionin publik.

“Ai është mbajtur shqyrtimi fillestar lidhur me dyshimin për veprën penale vrasje e rëndë, ku i mbrojturi im Edmond Lika është deklaruar i pafajshëm lidhur me aktakuzën që është ngritur kundër tij. I njëjti konsideron, po edhe unë si mbrojtës, plotësisht e mbështes pafajësinë e tij. Në emër të të akuzuarit dhe në emër të familjes së tij mbështesim çdo veprim që ka për qëllim zbardhjen dhe ndriçimin e këtij rasti, duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një rast mjaft serioz, ku është marrë jeta tragjike e një zyrtari policor. Zyrtari policor, dhe se kjo jo vetëm që ka prekur familjen e tij, por ka prekur ndjenjën e çdo qytetari duke përfshirë edhe mua si avokat. Por ne si avokatë jemi kundër çdo tendence për të inkriminuar padrejtësisht veprimet e të mbrojturit tim në bashkëkryerje apo në vepër penale të cilën i njëjti nuk e ka kryer”, tha ai.

Vishi tha se sipas aktakuzës, përmendet vetëm prezenca e të mbrojturit të tij në një hapësirë publike, të cilën ai e konsideron rastësore, duke shtuar se sipas provave video, klienti i tij ka qenë duke lëvizur me veturë për shkak të një problemi teknik dhe më pas është larguar drejt shtëpisë.

“Siç e patë edhe ju në aktakuzën e Prokurorisë, ka vetëm përmbajtje mbi prezencën e të mbrojturit tim në një hapësirë publike, madje në një rrugë, e cila është rruga më e frekuentuar në komunën e Kaçanikut. Prezenca e tij në atë hapësirë ka qenë krejtësisht rastësore. Madje i njëjti është parë duke lëvizur me makinë, për të cilën ka pasur të evidentuar një problem teknik, pasi që është dashur ta ndezë të njëjtën në mënyrë mekanike. Kjo evidentohet edhe nga video-incizimet e marra nga ana e Prokurorisë, ku shihet tërësisht lëvizja e tij me drita të ndezura dhe pastaj kthimi i tij djathtas dhe largimi drejt shtëpisë së tij. Nga Gjykata, normalisht si avokat por edhe si i akuzuar, presim një proces të drejtë dhe të paanshëm dhe gjatë administrimit të provave, natyrisht se të gjitha provat do të administrohen në mënyrë profesionale dhe objektive, dhe se krejt në fund të procesit gjyqësor padyshim do të vërtetohet edhe pafajësia e të mbrojturit tim. Tash për tash kaq, nuk kam diçka më të hollësishme”, tha ai.

Ai shtoi se mbrojtja pret një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm dhe beson se gjatë shqyrtimit të provave do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij, duke theksuar se sipas tyre lëvizjet e tij kanë ndodhur para momentit të ngjarjes.

“Absolutisht këto nuk qëndrojnë. I mbrojturi im paraprakisht me Shkëlqim Kukën ka qenë në një restorant për të pirë një kafe. Pastaj është kthyer tek makina e tij, ka zbritur nga makina dhe ka hipur në makinën e vet, e ka nxjerrë nga vendparkimi, e ka ndezur me veprim motorik, meqenëse siç e thashë edhe më parë ka pasur një problem, dhe në provat të cilat ne i kemi marrë shihet qartë se dritat e makinës kanë qenë të ndezura dhe pastaj i njëjti është larguar drejt shtëpisë. Krejt kjo ka ndodhur para ngjarjes dhe para vrasjes në momentet fillestare”, tha ai.

Të ngjashme