Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, e ka konsideruar të tërhequr padinë e paditëses Fitore Pacolli ndaj Flamur Kabashit, hulumtues dhe monitorues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD). Vendimi është marrë pasi paditësja nuk ka reflektuar në raport me udhëzimet e Gjykatës.
Avokati Ardian Bajraktari ka bërë të ditur se gjykata ka ardhur në këtë përfundim pikërisht për shkak të mosveprimit të paditëses në përputhje me kërkesat procedurale të gjykatës.
Bajraktari tha se padi të tilla SLAPP, të cilat sipas tij synojnë frikësimin, heshtjen ose dëmtimin financiar të individëve apo organizatave që ushtrojnë të drejtën e fjalës së lirë dhe pjesëmarrjes publike, zakonisht hidhen poshtë dhe nuk kanë për qëllim vendosjen e drejtësisë.
Ai shtoi se sipas tij, sa më herët të kuptohet natyra e padive të tilla, aq më mirë është për palët dhe për interesin publik.