Numri i aksidenteve fatale dhe i personave që humbin jetën në trafikun rrugor në Kosovë ka shënuar rritje gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i aksidenteve fatale është rritur nga 40 në 45 raste, ndërsa numri i viktimave nga 45 në 46 persona.
Eksperti i komunikacionit, Lavdim Hamiti, në një intervistë për Ekonomia Online vlerëson se mungesa e sinjalizimit rrugor, infrastruktura jo adekuate dhe mungesa e investimeve në sigurinë rrugore janë ndër faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë situatë.
Hamiti tha se gjendja aktuale kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve, pasi qytetarët nuk mund të ndikojnë në përmirësimin e infrastrukturës apo vendosjen e sinjalizimit.
“Sa i përket aksidenteve, është një mori problemesh që është zinxhiror, saqë secila e ka atë pjesën negative dhe vjen deri tek aksidentet. E një nga këto pjesë është sikur që e cekët edhe ju, është mungesë e sinjalizimeve. Pika e dytë apo pika më kryesore është infrastruktura jo e duhur, jo e rregullt dhe jo e mirë, për shkak se kemi, po e marr si shembull, kemi zhavorr në rrugë, kemi kyçje ku nuk ka sinjalizim, kemi kyçje ku janë të padukshme që vjen deri tek rreziku. Dhe për shkak të infrastrukturës jo adekuate, atëherë vjen edhe te, mund të themi ashtu, te një huti e vozitësit që vjen edhe deri tek aksidentet, ku pjesën kryesore apo fajësinë kryesore e ka vetë shoferi apo vetë personi, për shkak se duhet të kemi kujdesje, mbi gjendjen që kemi sot momentale. Qytetari nuk mund ta ndryshojë gjendjen, nuk mund të vendosë sinjalizimin, nuk mund ta rregullojë infrastrukturën, por mund të rrisë kujdesin”, tha ai.
Sipas tij, gjatë sezonit veror dhe me rritjen e fluksit të automjeteve, veçanërisht të mërgimtarëve, shtohet edhe rreziku për aksidente, ndërsa përgjegjësia për përmirësimin e gjendjes bie mbi institucionet.
“Në gjendjen e sotme duhet të rritet kujdesi që t’u ikim aksidenteve dhe mos të jemi pjesë e aksidenteve. Nëse kemi kujdesje, të gjitha këto probleme, mori i problemeve që kemi, mund t’i evitojmë. Po për fat të keq, i kemi të gjitha këto probleme dhe një shofer nuk ka aq shumë kujdes sa duhet të ketë dhe vjen deri tek aksidentet që i kemi sot. Për shkak se tash këtë sezonin veror, tash vjen e rritet edhe numri edhe kemi një fluks më të madh të, sidomos mërgimtarëve, edhe kuptohet se kur kemi një numër më të madh të automjeteve, atëherë rritet edhe numri i aksidenteve. Por çfarë duhet të bëjmë, të zvogëlohet dhe mos të kemi një numër shumë të madh të aksidenteve, atëherë janë institucionet fajtore që mund të rregullohet kjo pjesë, që të zvogëlohet numri i aksidenteve. Cilat janë ato? Duhet të rregullohet infrastruktura, mos të kemi kthesa aty ku janë të rrezikshme, të largohet zhavorri nëpër disa rrugë që kemi, që është shumë e rrezikshme sidomos për motoçikleta është me fatalitet që mund të vijë për shkak të asaj pjese. Edhe të rregullohet pjesa e sinjalizimeve dhe shenjave që duhet të kemi në rrugë. Këto janë, do të thotë, të gjitha”, tha ai, për Ekonomia Online.
Ai kritikoi institucionet për mungesën e investimeve dhe veprimeve konkrete në rritjen e sigurisë në komunikacion, duke thënë se gjobat nuk e ulin numrin e aksidenteve pa vetëdijesim të qytetarëve.
“Por sa i përgjigjen institucionet kërkesave, e dimë me numrin e aksidenteve. Përderisa nuk kemi ulje të aksidenteve, çfarë mund të themi që janë duke ndërmarrë në atë drejtim? Apo në cilat rrugë janë duke ndërmarrë që të rritet niveli i sigurisë? Gjeni një rrugë që ka ndërmarrë diçka që të rritet, do të thotë, siguria. Mund të themi shumë pak, mos të themi fare, por mund të themi shumë pak. Përderisa institucionet nuk ndërmarrin në këtë drejtim, atëherë si mund të ulet numri i aksidenteve? Për të ulur numrin e aksidenteve, duhet të punojmë në atë drejtim të ulet numri i aksidenteve. E që në realitet ne nuk punojmë në atë drejtim, dhe vetëm presim nga mëshira e Zotit të ulet numri i aksidenteve. Po për atë arsye edhe nuk ulet numri i aksidenteve. Para disa viteve ndryshoi ligji, u rritën çmimet e gjobave me pretendim se do të ulet numri i aksidenteve. Nuk e ul numrin e aksidenteve gjoba. Vetëdijesimi e ul numrin e aksidenteve. A jemi duke punuar në drejtim të vetëdijesimit? Zero. A kemi fond për siguri në komunikacion? Sa kam dëgjuar prej një kolegut, 15 mijë euro janë ndarë, do të thotë, për një vit për sigurinë në komunikacion. 15 mijë euro. Çfarë vlere është ajo, çfarë shume është, çfarë do të bëhet me 15 mijë euro për një vit për sigurinë në komunikacion? Dhe në anën tjetër kërkojmë siguri në komunikacion, ndërsa nuk punojmë në atë drejtim të sigurisë në komunikacion. Atëherë çfarë rezultati presim?”, tha ai.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Ekonomia Online se statistikat për periudhën janar-qershor 2026 tregojnë rritje të aksidenteve fatale dhe të aksidenteve me lëndime krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Policisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë regjistruar 45 aksidente fatale, krahasuar me 40 sa ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Po ashtu, numri i personave që kanë humbur jetën në aksidente është rritur nga 45 sa ishte në vitin 2025, në 46 në vitin 2026.
Aksidentet me lëndime kanë shënuar rritje nga 3,943 në 4,117 raste, ndërsa numri i personave të lënduar ka pësuar një rënie të lehtë, nga 7,513 në 7,482.
Në anën tjetër, aksidentet me dëme materiale kanë rënë nga 6,696 në 6,008 raste, ndërsa numri total i aksidenteve ka zbritur nga 10,679 në 10,170.
Policia ka bërë të ditur gjithashtu se numri i tiketave të shqiptuara gjatë kësaj periudhe është rritur nga 372,425 në vitin 2025 në 394,082 në vitin 2026.
