Rritet interesimi për IVF në Klinikën e Gjinekologjisë, Ndrejaj: Mbi 1 mijë e 300 konsultime këtë vit

Prishtinë | 11 Kor 2026 | 08:40 | Nga Drita Dërmaku

Procedura e fekondimit të asistuar mjekësor (IVF) në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë po shënon rritje të interesimit nga çiftet që përballen me infertilitetin. Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar mbi 1 mijë e 300 konsultime, ndërsa janë kryer tetë transfere, prej të cilave tashmë është duke u përcjellë një shtatzëni në javën e 22-të.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Ndrejaj tha se kërkesa për procedurat e IVF-it është në rritje të vazhdueshme.

“Po, procedura me IVF, domethënë në Klinikën e Obstetrikës Gjinekologjike po shkon shumë mirë. Procedurat po ecin mirë, do të thotë pacienta ka numër mjaft të madh, interesimi është shumë i madh i pacientëve. Deri tash, këtë vit domethënë, vetëm deri më domethënë janarin, tash i kemi diku, ku veç konsulta i kemi 1300 raste që kanë ardhë, ri-konsulta 772, domethënë janë këto raste të cilat e tregojnë një numër që është në rritje, edhe kërkesa është gjithmonë, edhe gjithnjë në rritje për procedurat e IVF-it”, tha Ndrejaj.

Ai sqaroi se deri tani janë realizuar tetë transfere, ndërsa jo të gjitha shtatzënitë konfirmohen në Klinikën e Gjinekologjisë, pasi një pjesë e pacienteve zgjedhin të kontrollohen në institucione të tjera.

“Deri tash i kemi, këtë vit i kemi diku nja tetë transfere. Tetë transfere do të thotë që priten shtatzëni potenciale që, prej këtyre transfereve të ndodhin. Te ne nuk do të thotë që do të vijnë ato për me konfirmu shtatzëninë, mirëpo mund të konfirmojnë shtatzëninë diku tjetër. Te ne janë konfirmu disa mirëpo, disa kanë ecur, disa që përcillet. Një shtatzëni është te ne, përcillet domethënë, është në javën e 22-të, ndërsa të tjerat, janë konfirmu, disa s’kanë pasur sukses në javët e para domethënë kanë dështuar, disa të tjera, ndërsa s’janë lajmëru fare. Domethënë për numrin total sa janë shtatzëni të konfirmuar, nuk mund ta kem se janë shtatzëni që mund të konfirmohen edhe diku tjetër. Mirëpo transferet janë ato faza e fundit e procedurave të IVF-it, ku priten shtatzënitë. Deri tash këtë vit domethënë janë kryer tetë transfere”, theksoi ai.

Ndrejaj u bëri thirrje pacienteve që, edhe nëse e konfirmojnë shtatzëninë jashtë klinikës, ta njoftojnë institucionin në mënyrë që të krijohet një pasqyrë më e saktë për suksesin e programit.

“Bëjmë edhe ftesë prej këtu ato pacientet të cilat, do të thotë, e konfirmojnë shtatzëninë diku tjetër, është mirë të lajmërohen që të kemi një pasqyrë taman të saktë sa është suksesi i shtatzënive. Mirëpo nuk do të thotë që procedurat e IVF-it, merren vetëm ekskluzivisht me këtë shtatzëni, por janë edhe procedura të tjera që kryhen, domethënë stimulimet, marrja e qelizave, pastaj i kemi realizimi i HASG-ve, domethënë incizimin e kanaleve, pastaj laparaskopitë që bëhen te pacientet e ndryshme që kanë nevojë, histeraskopitë. Gjitha janë këto procedura që kryhen në kuadër të repartit të IVF-it domethënë në Klinikën e Obstetrikës Gjinekologjike. Mirëpo suksesi i fundit normal që është shtatzënia me procedurat e IVF-it. Ajo pritet në muajt në vazhdim të rritet, domethënë të konfirmohen edhe më shumë shtatzëni këtu tek ne po flas, edhe ta kemi një numër më të qartë, më të mirë domethënë më të saktë të procedurave si po ecë, si po shkon”, u shpreh ai.

Sipas tij, rruga deri te një shtatzëni me IVF është e gjatë dhe përfshin disa faza diagnostikuese e trajtuese, që në shumë raste zgjasin me muaj.

“Nuk do të thotë që me një intervenim, fitohet një shtatzëni. Mirëpo na duhet ndoshta te një shtatzënë me muaj të tërë derisa të vije te një shtatzëni. Do të thotë, së pari bëhet ekzaminimi i pacientes, detektohet ose zbulohet shkaktari i infertilitetit, prej problemit që ka infertilitet. Pastaj nëse është problem diçka organik, ndonjë masë tumoroze ose ndonjë masë cistike ose pengesë organike në domethënë në organet gjenitale, bëhet intervenimi kirurgjik që merr disa muaj. Pastaj nëse kemi diçka probleme me çrregullimet hormonale, intervenohet do të thotë jepet terapia hormonale derisa të rregullohen menstruacionet, cikli. Pastaj vjen stimulimi, me stimulim që zgjat dy javë derisa të formohen, krijohen ovocitet, qelizat. Pastaj marrja e qelizave, pastaj mbarësimi ose bashkimi i tyre jashtë, domethënë në laborator, pastaj vjen transferi. Do të thotë te një paciente nëse ka probleme pak më serioze me infertilitet, derisa të vije te një shtatzëni zgjat me muaj. Do të thotë nuk është, është procedurë më e gjatë, nuk është procedurë që kryhet me një akt ose me një të vetmen ditë te një shtatzëni. Këto janë pacientet edhe opinioni ose ju si media duhet ta dini që jo çdo problem i infertilitetit ose çdo qasje me domethënë me pacientin ose me procedurat e IVF-it kryhet shumë shpejt”, tha Ndrejaj, për Ekonomia Online.

Ai shtoi se edhe kur arrihet shtatzënia, nuk përjashtohet mundësia e humbjes së saj në fazat e hershme.

“Kemi raste ku ngel shtatzënë, mbas një javë dy dështon, domethënë për shkak ose moshës ose problemeve në organet gjenitale, diçka që kemi te pacientja, edhe dështon shtatzënia. Do të thotë procedurat e IVF-it janë disa lloje, domethënë ka prej këtu me marrë, prej diagnostikimit, te intervenimi, deri te transferi i qelizave”, deklaroi drejtori i Klinikës.

Duke folur për kapacitetet e Klinikës së Gjinekologjisë, Ndrejaj tha se aktualisht ekzistojnë kushte të mjaftueshme për t’iu përgjigjur kërkesave të pacienteve.

“Kemi, mjaftueshëm kemi staf. Reparti është i mjaftueshëm për këto kapacitete, domethënë për këtë numër të pacientëve. Ndërsa nëse vije deri te rritja ose numrit të pacientëve, atëherë do të bëhet klasifikimi ose mundësia do të rritet, do të shtohet stafi i mjekëve ose numri, domethënë në repart. Shikohet ndoshta të shtohet edhe ndonjë repart tjetër. Mirëpo njëherë për njëherë i kemi kushtet optimale edhe të mjaftueshme për trajtimin e këtyre pacientëve që janë me problemet e infertilitetit”, shtoi Ndrejaj.

Të ngjashme