“Kur heshtja flet” është libri i Prof. Dr. Ahmet Shala, akademik e ish-ambasador i Kosovës, i cili mblodhi sot në Prishtinë figura të rëndësishme, e përmes të cilit libër me qartësi e thellësi përshkruan gjykimin në Hagë kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Fjalën e tij e nis me falënderimin e veçantë për kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama i cili ishte i pranishëm, nga ku i dha kuptim edhe besimit të tij në Zotin të cilin thotë se kur ishte fëmijë nuk e dinte kush është. Shala këtë libër filloi ta shkruaj pas takimit të katër që kishte me katërshen e UÇK-së e cila po mbahet në Hagë për më shumë se 5 vjet.
“Tejmase, kjo nuk më ka nderuar vetëm mua, por ka treguar se është një lider që thyen heshtjen. Nuk kam fjalë çfarë të them, por dua t’ua them gjithëve, dhe veçanërisht zonjës presidente dhe të gjithëve të pranishëm: kam qenë si fëmijë dhe gjithmonë kam qenë në një fuqi më të madhe sesa njeriu. Kam besuar në Zot pa e ditur se kush është Ai, kam menduar që ekziston diku në qiell, lart, dhe është e vërtetë. Por sinonimin e presidencës e kuptoj sot këtu. E kuptoj sepse Perëndia është e barabartë me të vërtetën, me dashurinë e përkushtuar, dhe nuk ka dashuri më të madhe, besoj, përkushtim dhe bekim më të madh se sa sot të kemi Presidenten e Kosovës, Kryeministrin e Shqipërisë, kryetarin Ali Ahmeti, zonjën Rexhepi, zonjat e nderuara, dhe të tjerët, burrat që po mundohen të qëndrojnë brenda këtyre qelive. Kemi ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin, kemi përfaqësues të veteranëve, si Nevenka Tropm, dhe shumë njerëz të tjerë që po na mbështesin. Kështu që për mua, Ai Zot që dikur nuk e kam parë, që dikur nuk e kam ditur kush është, shprehet sot me prezencën e Tij për të dërguar një zë të fuqishëm – së pari për ata burra që po mbahen padrejtësisht, por edhe për të dërguar një mesazh të qartë dhe më të fuqishëm atyre që po i mbajnë pa të drejtë”, tha ai.
Shala thotë se librin shkroi si një qyteart i thjesht në lirinë që e sollën, duke iu referuar, Hashim Thacit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
“Ky libër nuk lindi për të qenë thjesht një botim. Lindi krejt rastësisht, mbase si një nevojë e shpirtit tim, një ndjenjë e thellë, e ndrydhur. Me shpirt të zemrës dhe një zë që shpërtheu fare spontanisht, për të folur dhe për të vepruar. Kur fillova të shkruaj, nuk shkrova si një akademik, diplomat apo studiues, por shkrova si një njeri i thjeshtë i këtij vendi, tanimë i lirë nga ata burra. Shkrova si një qytetar, si një shqiptar, si dikush që ka parë, dëgjuar, ka prekur dhe përjetuar vetë, por edhe ka parë në sytë e të tjerëve dhimbjen që nuk shuhet, drejtësinë e vonuar dhe dinjitetin që nuk dorëzohet kurrë. Përmes këtij libri flasin ata që prehen në parajsë, heronjtë tanë; flasin ata që janë aty ku nuk do të mund të ishin; flasin ata që heshtja i ka rënduar më shumë se çdo fjalë. Heshtja jonë, pra. Këtë libër fillova ta shkruaj pas takimit një më një me katër udhëheqësit tanë në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. I pashë me sy politik, e as diplomatike, e as studiues; por me syrin e njeriut të thjeshtë. I pashë jo si personalitete me funksione që kanë mbajtur, por si njerëz të zakonshëm, si bij, baballarë, bashkëluftëtarë, të atyre që prehen në Likoshan, Qirez, Gllogjan, Studime, Mej, Krushë, Izbicë e gjithandej në tokën e atdheut tonë. Kuptova diçka thelbësore: kuptova që historia e Kosovës nuk ndahet në kapituj sikurse në historitë e botuara”, tha ai.
Shala mes fjalës së tij tregon një bisedë me babain e Hashim Thaçit, e ku vitet e djalit të tij në Hagë i dukeshin tejzgjatura, saqë frikën e kishte se do të vdiste e lirinë e të birit që po mbahet në çeli nuk do ta shihte.
“Historia jonë shkruhet dhe duhet të shkruhet nga rënkimet e baballarëve, si Haxhi Thaçi, që kur përpëlitesha t’i jepja gajret për djalin që po mbahet padrejtësisht mbi 3 mijë kilometra larg shtëpisë së tij, më tregon me dorë dhe më thotë:
“Ah, ty të lumtë goja, breh Ahmet, po u zgjat shumë dhe koha po shkon. U bënë tre vjet, shumë. Këto të Hyshemit në burg më duken si 300, hiç nuk po më shkojnë. E këto të mijat i kanë marrë teposhtëzën po shkojnë shpejt. A e sheh, jam plak shumë e po tutna, po shkoj pa e parë atë ditë.” Historia jonë shkruhet edhe nga rënkimet e mallëngjyeshme të mbi 1,400 nënave që rrinë me vite zgjuar, heshturazi, vazhdimisht duke rënkuar dhe duke pyetur: “O loke, unë nuk kërkoj asgjë, dua ta di vetëm se ku e ka varrin djali im.” Janë ato nëna, motra e vëllezër që presin të zhdukurit, që duan të dinë ku janë, dhe vetëm të dinë ku e kanë varrin. Ajo shkruhet në heshtjen po aq të fëmijëve, motrave e vëllezërve, të kthimit që nuk gjejnë eshtrat e të dashurve të tyre, në kohën kur bota e civilizuar hesht. Dhe, paradoksalisht dhe mrekullisht, ajo shkruhet nga populli që, përkundër gjithçkaje, nuk pranon të urrejë, por ka forcën të falë dhe të pajtojë. Janë këto rënkime, këto vlera të burrave, grave, fëmijëve, pleqve, nënave dhe motrave, autorët e këtij libri. Unë jam vetëm penda e tyre. “Kur heshtja flet” nuk është thjesht libër; është akt politik në kuptimin më fisnik të fjalës. Është një përpjekje për t’i dhënë zë një të vërtete të heshtur, të shtypur, të keqinterpretuar, dhe për të rikthyer dinjitetin e një narrative që është deformuar me qëllim”, tha ai.
Ai ka theksuar se nuk mund të ketë liri të plotë për Kosovën, pa u vendosur drejtësi edhe ndaj katër liderëve të UÇK-së.
“Kur vizituam Prekazin, atje ku kundërshekujt edhe gurët flasin, kuptova se historia nuk kërkon të të bindë, por të të kujtojë që të mos harrosh. Dhe takuam në Hagë një nga një katër heronjtë e gjallë; kuptova se drejtësia jonë shtetërore, kombëtare, dhe sidomos ajo ndërkombëtare, është seriozisht në test. Një test që nuk po e kalon me dinjitet. Në fakt, në test nuk është vetëm drejtësia jonë ndërkombëtare, por është politika dhe akademia jonë kombëtare dhe ndërkombëtare… Në test është ndërgjegjja dhe përgjegjësia jonë ndaj atyre që patën guximin mos të heshtin në kohën kur edhe për një fjalë shkonte koka, e jo vetëm karriga. Ajo që po ndodh atje nuk është thjesht proces gjyqësor; është një narrativë politike, përpjekje për të barazuar viktimën me agresorin, kriminelin me civilin, të vërtetën me propagandën. Pa u vendosur drejtësi në vend për katër liderët tanë, nuk mund të ketë drejtësi të plotë as për Kosovën. Pa të vërtetën dhe drejtësinë, nuk ka paqe”, tha ai.
