Ibrahimi: Pas ish-krerëve të UÇK-së qëndron i gjithë populli dhe historia, pa të vërtetën s’ka paqe

Prishtinë | 17 Shk 2026 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Dizjanuesi i flamurit të Kosovës, Muhamer Ibrahimi ka thënë se një popull i tërë që doli në marshin “Drejtësi, jo politikë” është mesazhi i qartë që ish-drejtuesit e UÇK-së nuk janë vetëm dhe pas tyre qëndron i gjithë populli, qëndron historia dhe secili që i thotë vetes shqiptar, raporton Ekonomia Online.

Ibrahimi tregon një nga bisedat me një nga shokët, ku kishte thënë se edhe nuk do t’i zinte mëngjesi, flamuri i shtetit të Kosovës do të valonte në Kosovën e lirë.

“Kishim besimin e pathyer se Kosova do të bëhej e lirë. Në një natë, njëri nga djemtë tha se edhe nëse nuk e shohim nesër mëngjesin, një ditë flamuri ynë do të valojë në Kosovën e lirë. Një ditë, kur unë dizajnova flamurin që u ngrit më 17 shkurt 2008, nuk pashë vetëm një simbol të shtetit; pashë fytyrat e atyre që nuk jetuan dhe nuk u kthyen ta shohin atë ditë. Pashë shokët e mi, bashkëluftëtarët e mi, sakrificën, dhimbjen dhe krenarinë kombëtare. Të dashur qytetarë, sot është 17 shkurti, dita kur liria e Kosovës u kthye në shtet. Por këtu nuk jemi vetëm për festë; jemi këtu sepse zemra e Kosovës, bashkë me të secilit prej nesh, po rreh me një shqetësim të madh. Në Hagë, në fazën finale të një procesi që po zgjat mbi pesë vite, po gjykohen udhëheqësit e luftës sonë. Ata që morën përgjegjësi kur askush nuk mund ta merrte: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyre. Ata që qëndruan kur shumëkush ishte larguar”, tha ai në marshin “Drejtësi, jo politikë”.

Ai tha se populli i Kosovës nuk ka frikë nga drejtësia, por kërkon drejtësi të panshme dhe se UÇK ishte mburojë për të mbrotjru pragun e shtëpisë dhe tokën e saj.

“Ne nuk kemi frikë nga drejtësia, sepse kush lufton për liri nuk i frikësohet asnjëherë të vërtetës. Por kemi të drejtë të kërkojmë drejtësi të paanshme; kemi të drejtë të kërkojmë që historia jonë të mos shtrembërohet e as të mos rishkruhet; të kërkojmë që sakrifica të mos përmbyset në faj.UÇK nuk ishte organizim për mbijetesë, por mburojë për fëmijët, gratë, pleqtë; mburojë për pragun e shtëpisë, për tokën tonë. Ishte përgjigjja e fundit e një populli që kanosej me zhdukje. Pra, UÇK lindi nga populli dhe në emër të popullit.  Dhe sot, kur e shoh këtë det njerëzish, e di që ata në Hagë nuk janë vetëm; pas tyre qëndron i gjithë populli, qëndron historia dhe secili që i thotë vetes shqiptar. Ne nuk jemi këtu për urrejtje, s’jemi kundër askujt, sepse pa të vërtetë nuk ka paqe, pa drejtësi nuk ka pajtim. Kosova nuk u ndërtua nga heshtja, por nga guximi dhe sakrifica”, tha ai.

Të ngjashme