Ish-luftëtarja: Sot, nga zemra e mijëra qytetarëve ju themi “Mirupafshim së shpejti, liderë dhe ju çlirimtar”

Prishtinë | 17 Shk 2026 | 15:22 | Nga Ekonomia Online

Ish luftëtarja e UÇK-së, Shqipe Krasniqi ka thënë se gjykimi në Hagë që po bëhet ndaj ish krerëve të UÇK-së është dhimbje që prekë sakrificën  e çdo qytetari shqiptarë, raporton Ekonomia Online.

Ajo në marshin “Drejtësi, jo politikë” tha se iu bashkua luftës sepse po mohohej dinjiteti.

Krasniqi kujtoi fjalimin e ish-presidentit Hashim Thaçi i cili kishte thënë “nuk është lamtumirë, por një mirupafshim”.

“Populli ynë di të qëndrojë, të sakrifikojë, të falë, por nuk di kurrë të harrojë. Ky popull nuk harron se kush ishte agresori e kush ishte viktima. President, kur u nise për Hagë na the: “Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim.” Sot, nga zemra e mijëra qytetarëve këtu në shesh dhe në rrugët e Prishtinës, ju themi: “Mirupafshim së shpejti, liderë dhe ju çlirimtarë.”

“Si sot, kurrë më të bashkuar e më të zëshëm nuk e kam parë Kosovën. Në Ditën e Pavarësisë ne nuk jemi mbledhur vetëm për ta shënuar këtë ditë. Jemi mbledhur për të kujtuar një sakrificë, një rrugë të gjatë dhimbjeje, një çmim të madh lirie. Kjo nuk është vetëm protestë, kjo është ndërgjegjja dhe mbështetja që populli u bën bijve të tanë. Është zëri i atyre që nuk janë më, është fjala e nënave që ende presin. Dhe unë, për ju që nuk më njihni, jam Shqipe Krasniqi. Jam njëra nga mijëra gra që e kanë parë luftën me sytë e saj. Jam rritur në një kohë kur të qenurit shqiptare në Kosovë nënkuptonte të jetoje me frikë, me kufizime, me padrejtësi të përditshme. Kam parë prindër të larguar nga puna, profesorë të përjashtuar, studentë të ndjekur, familje të tëra të poshtëruara vetëm sepse ishin shqiptarë. Kam parë baballarë të përulur, kam parë nëna që qanin fshehurazi që fëmijët të mos ua shihnin lotët. Kam parë rininë tonë të rritej pa të drejta, por gjithmonë me krenari. Por mbi të gjitha, kam parë gruan shqiptare. Kam parë nëna që ndanin kafshatën me fëmijët e tyre, kam parë motra që bëheshin edhe nëna edhe baballarë kur në shtëpitë e tyre mbeteshin pa burra. Kam parë gra që i përcillnin bijtë në luftë me zemër të copëtuar, por me kokën lart. Ato nuk kishin uniformë, por kishin forcë. Ato nuk mbanin armë, por mbanin gjallë shpresën. Ato nuk dolën në histori me tituj, por historia nuk do të ekzistonte pa to”, tha ajo.

Ajo tha se populli shqiptar nuk di të dorëzohet dhe se pavarësish se gjithçka u dogj, nuk u dogji  nuk u thye shpirti i popullit.

“Pikërisht atëherë unë e kam kuptuar se heshtja është dorëzim, dhe ky popull nuk di të dorëzohet. Si shumë vajza dhe gra shqiptare, e mora edhe unë armën dhe dola në front. E vesha uniformën më të bukur në botë dhe iu bashkova radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jo sepse e doja luftën, por sepse e doja lirinë. Sepse kur mohohet dinjiteti, rezistenca bëhet detyrim për secilin. Sepse humbëm shumë; shtëpitë na u dogjën e fshatrat na u zbrazën. Neve na mbetën vetëm fotografi në duar dhe heshtje në shtëpi. Por një gjë nuk u dogj, nuk u thye e nuk u shua: shpirti i këtij populli. Dhe këtë shpirt po e shoh këtu, në mesin tuaj. Në çdo varr të dëshmorit është edhe një nënë që ka dhënë gjithçka. Në çdo flamur që valon është edhe një lot që është derdhur. Kjo luftë, për të cilën sot po gjykohet, nuk ishte zgjedhje, por ishte për mbijetesë”, tha ajo.

Ajo theksoi se prania e një numri të madh të qytetarëve është mesazh  për secilin që ka dyshime në rezistencën e një populli që luftoi veç për lirinë, nga një regjim gjenocidal.

Të ngjashme