Kadri Veseli: Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanshmërinë

Prishtinë | 18 Shk 2026 | 14:45 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij përfundimtare para trupit gjykues tha se gjykata duhet me cdo kusht të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanshmërinë, raporton Ekonomia Online.

“Përshëndetje të gjithë të pranishmëve në sallë dhe mysafirëve në sallën e pritjes dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në fund të gjykimit tim po ju drejtohem për të theksuar një pikë të vetme dhe të jashtëzakonshme prej rëndësie. Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanshmërinë. Kjo nuk është thjesht detyrë ligjore, është kontributi i saj i madh dhe trashëgimia që do të mbetet prej kësaj gjykate. Kjo është edhe shkaku që iu bashkova atyre mijëra grave e burrave që u rreshtuan në radhët e UÇK-së për lirinë e Kosovës.”

Veseli tha se edhe në momentet më të errëta nuk e ka humbur besimin se e drejta dhe liria do të triumfonin.

“Edhe në momentet më të errëta nuk e humba kurrë besimin se e drejta, e vërteta dhe liria do të triumfonin. Kam besuar gjithmonë se populli i Kosovës, si çdo popull tjetër në botë, kishte të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar në liri dhe dinjitet. Kam besuar se vuajtjet do të merrnin fund dhe se drejtësia do të vinte, edhe nëse me vonesë. Në të njëjtën kohë, kurrë nuk kam besuar që dhuna, urrejtja apo hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes të ndershëm. Ato shkatërrojnë shpirtin e një populli dhe jo vetëm të viktimës. Urrejtja është vetëm një formë tjetër e robërisë. Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë. As paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim. Një kauzë e drejtë nuk mund të mbrohet me mjete të padrejta. Ky nuk ka qenë vetëm një parim teorik për mua, por një bindje e thellë morale që ka udhëhequr secilin veprim timin. Familja ime dhe unë kemi jetuar nën persekutim të vazhdueshëm të shtetit serb. Ky nuk është përshkrim abstrakt, është realitet konkret që ka prekur secilin anëtar të familjes sime, por edhe mbarë popullin tim. Burrat, gratë, fëmijët, pa përjashtim, përballeshin çdo ditë me padrejtësi, frikë dhe pasiguri. E di çka do të thotë të jesh i pambrojtur, e di çfarë do të thotë të jetosh nën kërcënim të vazhdueshëm. Kjo është një përvojë që nuk ia dëshiroj askujt. Por më mësoi që në padrejtësi njeriu duhet të ruajë integritetin moral dhe vlerat themelore humane”, tha ai.

Të ngjashme