Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi numëruar krimet që Serbia bëri ndaj një populli të pafajshëm siç ishin shqiptarët, e ku pyeti Prokurorinë se çfarë duhet të bënin kur shinin teksa ata po vrisnin, raporton Ekonomia Online.
Ai pyeti; Çfarë duhet të bënim ne? Ta prisnim radhën për t’u vrarë?
“Historinë e Kosovës e kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët e saj, luftëtarët e lirisë dhe dëshmorët e atdheut. Kur Serbia dhe Millosheviqi vrisnin moshatarët e mi, i helmonin nxënësit dhe studentët, i largonin prindërit tanë nga puna, mbyllnin shkolla e spitale dhe zbatonin spastrim etnik e gjenocid, çfarë duhet të bënim ne? Mos të reagonim? Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Në këtë sallë gjyqi dëgjuam deklaratën e gjeneralit Clark, i cili gjatë një takimi që kishte pasur me “kasapin e Ballkanit”, ia kishte deklaruar hapur qëllimet e tij për shqiptarët, dhe gjithashtu opinionin e dëgjuam nga gjenerali i NATO-s: “Millosheviqi më tha: e dimë sesi të sillemi me shqiptarët, duhet të vrasim të gjithë”. Dhe ne e dinim këtë sepse Serbia kurrë nuk e fshihte qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj, pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Ta prisnim radhën për t’u vrarë? Apo të iknim nga vendi dhe shtëpitë tona? Asnjëherë, dhe asnjë tjeter, prandaj duhej të rezistonim. Prandaj unë besoja që Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje, kishte nevojë për njerëz të gatshëm ta jepnin edhe jetën për vendin e tyre, kishte nevojë për dikë si Adem Jashari dhe UÇK. Prandaj unë iu bashkova Adem Jasharit.”, tha ai.