Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion ka miratuar fushëveprimin e Komisionit gjatë mbledhjes së ditës së sotme, raporton Ekonomia Online.
Për këtë pikë të ditës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, pati një kërkesë për shtimin e një paragrafi për shkak të fushave të tjera që u takojnë ministrive, e cila edhe u miratua.
“Edhe te rregullorja ku detajohet fushëveprimtaria e ministrive është lënë mundësia që, nëse me ligj ka fusha të tjera të cilat u takojnë ministrive, ato të jenë të ngarkuara me to, me ato detyra të reja. Atëherë edhe ne si komision, në pikën e fundit, ndoshta mund ta kemi një paragraf, një fjalë te fushëveprimtaria, për mos iu kthyer më vonë, edhe pse ky është dokument që mund ta përshtasim ne në secilën mbledhje, që në rast të zgjerimit të veprimtarive të ministrive sipas rregullores së Qeverisë dhe ato mund të ngarkohen me ligj shtesë, edhe ne si komision automatikisht mund t’i kemi si detyra shtesë jashtë këtyre që janë përshkruar në fushëveprimtarinë që veç është draftuar nga stafi i komisionit”, tha ai.
Ndërkaq, pika tjetër që ishte miratimi i procesverbalit nga mbledhja e datës 19.02.2026 u miratua pa diskutime.
Ndërsa kryesuesja e Komisionit, Rozeta Hajdari, tha se duhet të caktohen anëtarë për Komitetin e Energjisë me seli në Vjenë.
“Komiteti i Energjisë me seli në Vjenë, nga sekretariati i Komisionit, njësia për ligje, të nderuar kolegë deputetë, unë ju njoftoj që ky komision i yni është pjesë e këtij plani parlamentar të Komunitetit të Energjisë me selinë në Vjenë, me dy anëtarë dhe dy anëtarë zëvendësues. Ne duhet të caktojmë katër deputetë, ku përbërja duhet të jetë sipas fuqisë politike, nga dy nga pozita dhe dy nga opozita. Kjo është edhe sipas rregullores përkatëse, pra nga Komuniteti i Energjisë në Vjenë. Përveç meje si anëtare, unë e lë si opsion të hapur dhe e hap debatin se kush nga pozita dhe kush nga opozita mund të jetë përfaqësues dhe zëvendësues gjithashtu, katër jemi. Po fillojmë me pozitën”, tha ajo.
Me votat e anëtarëve u votuan Rozeta Hajdari, Driton Hyseni dhe Janina Ymeri, ndërsa nga PDK u propozua Uran Ismaili, por mbetet të konfirmohet me shkrim.


