Opinionisti Arton Muhaxheri ka reaguar lidhur me situatën politike para zgjedhjes së presidentit të vendit, duke komentuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Përmes një postimi publik, Muhaxheri ka thënë se “komoditeti” i Kurtit dhe Osmanit, vetëm gjashtë ditë para afatit për zgjedhjen e presidentit, mund të shpjegohet përmes dy skenarëve të mundshëm.
“Komoditeti i Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në këtë situatë, kur kanë mbetur edhe gjashtë ditë nga zgjedhja e presidentit të vendit, mund të pasqyrojë dy skenarë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, skenari i parë lidhet me mundësinë që Osmani të mos jetë më kandidate për presidente.
“E para: Vjosa ose është pajtuar që nuk do të jetë presidente dhe për këtë arsye sillet e qetë, pa reagime dhe pa presion publik”, është shprehur Muhaxheri.
Ai ka përmendur edhe një skenar të dytë, që sipas tij mund të nënkuptojë një marrëveshje të mundshme politike.
“E dyta: ekziston një marrëveshje mes Vjoses dhe Albinit që emri i saj të propozohet në ditën e fundit, ndërsa opozita, si zakonisht ‘zemërgjerë’, ta votojë pa asnjë kusht, madje edhe pa ua kërkuar as votën”, ka deklaruar Muhaxheri.