Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se vendi nuk mund të shkojë automatikisht në zgjedhje, edhe pasi përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit apo presidentes.
Ai ka sqaruar procedurat që parashihen pas moszgjedhjes së presidentit brenda afateve kushtetuese.
“Me Kushtetutë nuk thuhet saktësisht që shkojmë në zgjedhje. Pra sikurse tek moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, ashtu edhe tek mozgjedhja e presidentit në afatin prej 30 ditëve nuk thuhet se shkojmë automatikisht në zgjedhje. Duhet me u shpërnda Kuvendi në rastin kur brenda 60 ditëve nga dita kur nis procedura për zgjedhjen e presidentit, shpërndahet Kuvendi dhe tek më pastaj shkojmë në zgjedhje të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve nga dita e shpalljes së tyre. Por vendi nuk shkon në zgjedhje automatikisht. Ndoshta mund të shkojë në zgjedhje në rast të ndonjë vlerësimi të Gjykatës Kushtetuese për rastin kur këtë çështje do ta dërgojë presidentja, e veçanërisht deputetët e partive politike parlamentare, në mënyrë që të mos kemi një situatë ku pas datës 4-5 mars ne zgjedhim një president jokonstitucional. Domethënë këtë duhet me e parë në këtë prizëm, që partitë politike të dërgojnë këtë rast në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të vlerësohet se a zgjedhim një president jokonstitucional pas kësaj date apo që Gjykata Kushtetuese të marrë një masë përkatëse në mënyrë që ta pezullojë rrjedhën e këtij afati”, u shpreh ai.
Jakaj tha se përpjekjet për zgjidhje të çështjes së presidentit do të duhej të fillonin nga 11 shkurti.
“Sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më larg se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit ose të presidentes aktuale. Një gjë e tillë po tentohet të bëhet, po ka përpjekje nga kryeministri Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, që është shumicë parlamentare dhe me të drejtë janë këto përpjekje në këtë moment, por do duhej që të bëheshin përpjekje që nga data 11 shkurt kur është konstituuar Kuvendi dhe kur është themeluar Qeveria e Kosovës. Nga ky perspektiva pra formale kushtetuese mund të themi se jemi brenda afatit, por nga perspektiva institucionale dhe demokratike mund të themi që një proces i tillë nuk është duke u zhvilluar në mënyrë të drejtë, në mënyrë të qartë dhe me transparencë”, tha ai.
Sa i përket takimeve të kryeministrit Albin Kurti me krerët e partive opozitare, Jakaj thotë se ka mungesë transparence.
“Ajo çka po flitet brenda takimeve nuk po bëhet publike në konferencat për media. E shihni edhe zotin Kurti, edhe partitë e tjera politike që po marrin pjesë nuk tregojnë se nëse kanë biseduar për ndonjë emër të caktuar, nëse kanë biseduar për tiparet që duhet t’i ketë një kandidat për president. Ajo çfarë kemi parë gjatë secilës legjislaturë, gjatë secilit kandidat për president që është zgjedhur, kryesisht kanë qenë emra të përveçëm që kanë mbajtur në supet e tyre edhe peshë edhe historike edhe institucionale, por së paku e kemi ditur emrin e tij në një kohë të caktuar. E kemi ditur emrin edhe të zonjës Osmani në vitin 2021, por tashmë kanë ndërruar praktikat dhe kjo praktikë vlerësoj se nuk është praktikë e shëndetshme për demokracinë, për shtetndërtimin edhe për ndërtimin e institucioneve të Kosovës”, theksoi ai.
Jakaj përmendi edhe bashkëpunimin e partive me mediat dhe me publikun në tërësi.
“Kryeministri Kurti, kryetari i Vetëvendosjes që e ka përgjegjësinë kryesore gati se për të propozuar kandidat për president, duke mos i përjashtuar as partitë opozitare, sepse duhet të me qenë në dy raundet e para 80 vota për në rastin nëse zgjidhet presidenti në raundin e parë, ose në rastin kur këto dy raunde duhet të konsumohen, duhet të jenë 80 vota në kutitë e votimit, pra është përgjegjësi edhe e opozitës parlamentare. Të dy këto pole nuk kanë ndërtuar, si me thënë, strategji të mirë të komunikimit me publikun, me organizatat e shoqërisë civile, me qytetarët e Kosovës në mënyrë që ne të dimë ta zëmë se cilët janë tiparet e një presidenti, sepse ne i dimë kompetencat të cilat i ka, i ka përmbi 15 kompetenca sipas Kushtetutës, që është kontrata e këtij presidenti”, tha ai,
Hulumtuesi gjithashtu përmendi tiparet kryesorë që një kandidat për president duhet t’i ketë.
“Dhe në rastin aktual, do duhej me parë a është një kandidat për president që ka integritet personal, që nuk është i përfshirë në ndonjë aferë të korrupsionit, që nuk dyshohet për ndonjë aferë korruptive, një president i cili e respekton Kushtetutën, një president i cili kur bëhet fjalë për rastet e korrupsionit do të qëndrojë neutral dhe nuk do të jetë, më falni, do të qëndrojë proaktiv në kuptimin e deklaratave publike, një president që nuk ndërhyn në sistemin e drejtësisë, një president që e ndihmon Kosovën në raport me zhvillimet e jashtme diplomatike. Pra, cilat do të jenë këto tipare të cilat do duhej që partitë politike t’i diskutojnë, të bëjnë debat të mirëfilltë dhe tek më pastaj të vijnë emrat. Pra jo emrat para tipareve, jo emrat para kritereve, jo emrat para kërkesave kushtetuese, po kërkesat kushtetuese, tiparet, veçoritë e këtyre kandidatëve e më pastaj edhe kandidati dhe emrat e caktuar”, tha ndër tjerash Jakaj.
Ndërkaq, Vjosa Osmanit i skadon mandati i presidentes më 05.04.2026. Ajo ishte zgjedhur presidentja e gjashtë me radhë që nga paslufta më 04.04.2021. Në votim kanë marrë pjesë 82 deputetë. Me 71 vota për në rundin e tretë të votimit, Osmani mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesëvjeçar. 11 vota ishin të pavlefshme.
