Reali e kërkon Vitinhan, kjo është përgjigja e yllit të PSG-së

Prishtinë | 05 Mar 2026 | 12:31 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i Paris Saint‑Germainit, Vitinha, është përmendur së fundmi si një nga objektivat e mundshëm të Real Madridit për ta përforcuar mesfushën.

Klubi spanjoll është në kërkim të një lojtari që mund të bëhet pika e referimit në mesfushë pas largimit të Luka Modrić dhe mungesës së një pasuesi të qartë në skuadër.

Megjithatë, vetë futbollisti portugez nuk duket aspak i interesuar për këtë mundësi.

Në një intervistë për emisionin “Soltinhos pelo mundo” në Canal 11, Vitinha i komentoi zërat e “merkatos” duke qenë shumë i drejtpërdrejtë, përcjell “Gazeta Express”.

“Do të ishte një marrëzi të largohesha! Nuk mendoj se do të ishte gjëja më e mirë për mua. Ndihem shumë mirë këtu te PSG”, deklaroi ai.

Mesfushori ka kontratë me klubin parisien deri në vitin 2029, edhe pse sipas raportimeve ekziston një marrëveshje që mund ta lejojë të largohet gjatë verës për rreth 90 milionë euro, klauzolë që mund të aktivizohet pas Botërorit.

Megjithatë, për momentin e ardhmja e tij duket qartë e lidhur me Parisin.

“Ndjej se njerëzit më vlerësojnë shumë dhe e kam fituar dashurinë e tyre. Më pëlqen shumë të jem këtu te PSG-ja, edhe familja ime është shumë e lumtur”, shtoi ai.

Vitinha e lavdëroi gjithashtu ambientin në skuadër dhe trajnerin Luis Enrique.

“E kemi një grup fantastik dhe një trajner të jashtëzakonshëm.”

Mesfushori portugez ka qenë një nga elementët kyç të PSG-së këtë sezon, duke i regjistruar 6 gola dhe 10 asistime në 37 ndeshje në të gjitha kompeticionet.

Madje, sipas tij, as ofertat e mëdha nga Arabia Saudite nuk do ta bindnin të largohej nga Evropa.

“Nuk jemi naivë. Unë jam më i orientuar drejt një karriere të qëndrueshme. Fitoj shumë mirë këtu në Evropë, në një klub të madh. Dyfishimi apo trefishimi i pagës nuk do të më bënte më të lumtur”, përfundoi Vitinha.

Të ngjashme