Komuna e Vushtrrisë në krye me Ferit Idrizin, në nderim të Ditës së Mësuesit që do të shënohet me 7 mars, ka ndarë mirënjohje për mësuesit dhe ish punonjësit e arsimit, raporton Ekonomia Online.
Idrizi ka thënë se kjo ditë shënon rrugëtimin e Kosovës në arsim edhe në kohë të vështira.
“Sot është një ditë e veçantë që shënon hapjen e shkollës së parë në Korçë. 7 Marsi dita e mësuesit urime të gjithë juve mësimdhënës, urime dhe gjithë juve të pranishëm”, tha Idrizi.
E ai tha se pikënisja e UÇK-së është edukimi që ushtarët morën nga veteranët e arsimit.
“Pikënisja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht gurëthemeli është edukimi i tyre që e morën nga këta veteranë të arsimit, që i kemi këtu prezent andaj shkon një falënderim i veçantë për të gjithë. Për më tepër se një shkollë shqipe arsimi në Kosovë ka rrugëtuar në kushtet më të vështira të kohës dhe ia doli. Sot meritojnë respekt dhe falënderim të veçantë të gjitha ato familje që hapen shtëpitë për shkolla”, tha Idrizi.

