Raporti i ri ndërkombëtar: Serbia ndër vendet më të korruptuara në Evropë

Prishtinë | 09 Mar 2026 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Serbia vazhdon të renditet ndër vendet me nivel të lartë të perceptimit të korrupsionit, sipas të dhënave më të fundit të indeksit global të publikuar nga World Economics.

Indeksi bazohet në renditjen e organizatës Transparency International për perceptimin e korrupsionit dhe është shndërruar në një shkallë nga 0 deri në 100, ku 0 tregon korrupsion të plotë në institucionet shtetërore, ndërsa 100 nënkupton mungesë të perceptimit të korrupsionit në qeverisje.

Sipas statistikave për vitin 2025, vendet me nivelin më të ulët të korrupsionit janë kryesisht ekonomitë e Evropës Veriore. Në krye të listës renditet Danimarka me vlerësimin maksimal 100, e ndjekur nga Finlanda me 97.4 pikë. Pas tyre vijnë Luksemburgu, Norvegjia dhe Zvicra me nga 88.3 pikë, Suedia me 87, Holanda me 84.4, Islanda dhe Irlanda me nga 83.1, ndërsa Gjermania me 80.5 pikë.

Në anën tjetër të tabelës ndodhet Serbia, e cila ka marrë vetëm 28.6 pikë në këtë indeks, duke u renditur ndër vendet me nivel shumë të lartë të perceptimit të korrupsionit në administratën shtetërore.

Në ilustrimin e indeksit global, Serbia është shënuar me ngjyrë kafe, e cila tregon nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë sipas kësaj metodologjie vlerësimi.

Në fund të renditjes për rajonin, pas Serbisë, gjendet Bosnja dhe Hercegovina me 26 pikë, që e pozicionon atë edhe më poshtë në indeksin global të perceptimit të korrupsionit.

Të ngjashme