Finalja e Kampionatit Mineiro mes Cruzeiro dhe Atlético Mineiro përfundoi me një skandal të madh në fushë.
Ndeshja, e zhvilluar në stadiumin Mineirão dhe e fituar nga Cruzeiro me rezultat 1-0, u shoqërua nga një përleshje e madhe mes lojtarëve të të dy skuadrave në fund të takimit.
Pas incidentit, referi Matheus Delgado Candançan e ka përfshirë në raportin zyrtar një numër rekord ndëshkimesh: gjithsej 23 lojtarë u ndëshkuan me karton të kuq pas përleshjes së madhe që shpërtheu në fushë.
Sipas raportit të gjyqtarit, incidenti nisi pas një përplasjeje mes portierit të Atlético-MG, Everson, dhe mesfushorit të Cruzeiro, Christian.
Portieri u ndëshkua me karton të kuq pasi, sipas përshkrimit të referit, pas një faulli ndaj tij e rrëzoi kundërshtarin dhe e goditi me gju në fytyrë.
Nga ana tjetër, Christian u përjashtua sepse goditi me këmbë në kokë një lojtar kundërshtar me forcë të tepruar, në një moment kur topi ishte tashmë në kontrollin e portierit.
Në raport përmendet se 21 përjashtimet e tjera erdhën për shkak të përfshirjes së lojtarëve në përleshjen e përgjithshme, ku u raportuan goditje me grushte dhe shkelma mes futbollistëve të të dy skuadrave.
Për shkak të kaosit në fushë, gjyqtari nuk arriti t’i tregojë kartonët e kuq në momentin e incidentit, por i regjistroi më vonë në raportin zyrtar të ndeshjes.
Ky numër kartonësh të kuq përbën një rekord në historinë e futbollit brazilian, duke e kaluar ndeshjen mes Portuguesa dhe Botafogo në vitin 1954, ku ishin dhënë 22 përjashtime.
Për lojtarët e përfshirë në incident mund të ketë pasoja të rënda disiplinore.
Sipas Kodit të Drejtësisë Sportive të Brazilit, aktet e agresionit mund të dënohen me pezullim nga katër deri në dymbëdhjetë ndeshje, ndërsa në rastet më serioze pezullimi mund të arrijë edhe deri në gjashtë muaj jashtë fushave të lojës.