Gjatë seancës së të mërkurës në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka dëshmuar edhe dëshmitari Mustaf Kavaja i cili tha se aktiviteti i prokurimit për të cilin po zhvillohet procesi ishte realizuar me procedurë të negociuar pa publikim dhe se në fund ishte arritur deri te nënshkrimi i kontratës nga të dy palët, raporton Ekonomia Online.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores së rastit, Fikrije Fejzullahu, e cila kërkoi sqarime për historikun e aktivitetit të prokurimit, Kavaja tha se l në Zyrën e Prokurimit, secilit zyrtar i ndahen detyra të caktuara dhe se ai kishte qenë i angazhuar edhe në këtë aktivitet.
“Si praktik në zyrën e prokurimit çdo zyrtari i ndahen punët. Në një prej aktiviteteve që kam qenë i angazhuar është edhe aktiviteti për të cilin po diskutojmë. Ka qenë me procedurë të negociuar pa publikim. Kemi ardhur në fund me një kontratë të nënshkruar nga dy palët. Ecuria ka qenë se së pari e kemi njoftuar KRRPP në lidhje me zhvillimin e kësaj procedure, mandej e kemi përgatitur dosjen, ftesën dhe përshkrimin e çmimit. Ja kemi përcjellur operatorit ekonomik të cilit kontrata i është dhënë dhe i kemi ftuar që të dorëzojë ofertën dhe pastaj të zhvilloj negociata”, tha ai.
I pyetur se kush e kishte ngarkuar me detyra, dëshmitari u përgjigj se “Drejtori i zyrës së prokurimit Ymer Dragusha”.
Në pyetjen e radhës nëse ky aktivitet kishte qenë i paraparë në planin e prokurimit, ai deklaroi: “Nuk më kujtohet”.
Prokurorja e pyeti se kush e kishte përcaktuar operatorin ekonomik në këtë procedurë, ndërsa Kavaja tha se informacionin për caktimin e operatorit e kishte marrë nga Ymer Dragusha.
“Unë informatat për caktimin e operatorit ekonomik i kam marrë nga Ymer Dragusha”, tha ai.
I pyetur nëse ishte marrë ndonjë opinion nga KRPP lidhur me këtë aktivitet, dëshmitari deklaroi se, sipas kujtesës së tij, ishte marrë një opinion.
“Sa më kujtohet kemi marrë një opinion. Opinioni i dërgohet drejtorit të zyrës së prokurorimit, dhe përmbajtja e tij për momentin nuk me kujtohet”, tha ai.
Prokurorja e pyeti se si ishte vepruar pas pranimit të opinionit, ndërsa dëshmitari u përgjigj:
“E kam ngarkuar në platformë dhe kemi kthyer përgjigje KRRPP, duke ju dhënë argumente pse është ndërmarrë ky aktivitet dhe pastaj kemi vazhduar tutje”.
Në lidhje me përcaktimin e lartësisë së garancionit, Kavaja deklaroi se i ishte drejtuar shefes së kabinetit të kryeshefit.
“Lartësinë ja kam drejtuar shefes së kabinetit të kryeshefit pasi që ka qenë me procedurë të negociuar të përcaktoj vlerën e garancionit të ekzekutimit dhe vlera ka qenë 10% e përcaktuar”.
“Në atë kohë ka qenë 50%, për procedura të hapura”, shtoi ai.
I pyetur nëse Zyra e Prokurimit në atë kohë kishte pasur nevojë për ndonjë konsulencë ligjore lidhur me procedurat e prokurimit, dëshmitari tha: “Nuk mundem me vlerësuar se a ka pasur a jo”.
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK1), Nagip Krasniqi, po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Krasniqi me heret e ka cilësuar aktakuzën si të montuar dhe ka theksuar se qëndrimi i tij pesëmujor në paraburgim është i padrejtë.
Sipas aktakuzës, ai, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën, akuzohet për dëmtim të buxhetit të shtetit me rreth 37 milionë euro.
Në seancën fillestare më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm. Ymer Dragusha, një tjetër i akuzuar, ka pranuar fajësinë pas marrëveshjes me Prokurorinë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës.
Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”.
Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”.