Kurti kujton Masakrën në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë: Krimet e Serbisë nuk mund të harrohen e as të mbesin pa drejtësi

Prishtinë | 13 Mar 2026 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, duke nderuar viktimat dhe duke kërkuar drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Në një postim, Kurti rikujtoi se më 13 mars 1999 forcat serbe sulmuan me granata tregun e qytetit, ku u vranë shtatë civilë dhe u plagosën mbi njëqind të tjerë.

“Më 13 mars 1999, forcat serbe sulmuan me granata tregun e qytetit. Shtatë civilë u vranë, ndër ta një fëmijë vetëm 5 vjeç, ndërsa 128 të tjerë u plagosën, shumë prej të cilëve mbartin plagë për gjithë jetën”, ka shkruar Kurti.

Ai theksoi se ky sulm ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme të terrorit ndaj popullatës civile shqiptare gjatë luftës në Kosovë.

“Ky sulm ishte pjesë e strategjisë së qëllimshme të terrorit ndaj popullatës civile shqiptare, një politikë dhune dhe gjenocidi që Serbia e zbatoi në Kosovë”, u shpreh ai.

Kurti e krahasoi këtë krim edhe me sulmet ndaj civilëve gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Masakra në Tregun e Gjelbër, sikurse masakra në tregun Markale në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, janë krime që dëshmojnë një model brutal të dhunës shtetërore të Serbisë ndaj civilëve të pafajshëm”, theksoi kryeministri.

Ai shtoi se kujtimi për viktimat duhet të ruhet me dinjitet dhe se drejtësia për krimet e luftës mbetet detyrim moral dhe historik.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar që kujtesa për viktimat të ruhet me dinjitet, ndërsa drejtësia për krimet e luftës mbetet detyrim moral dhe historik ndaj familjeve të tyre dhe ndaj brezave që do të vijnë”, ka deklaruar Kurti.

Të ngjashme