Lladrovci: Disa politikanë po “luajnë futboll jashtë fushe”, opozita duhet ta lexojë drejt mesazhin e qytetarëve

Prishtinë | 13 Mar 2026 | 20:15 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar për situatën politike në vend, duke kritikuar disa politikanë dhe duke ngritur dilema për rolin e opozitës në zhvillimet aktuale politike.

Në një postim në Facebook, Lladrovci ka thënë se në skenën politike ka politikanë që sipas tij krijojnë zhurmë, por që nuk veprojnë në përputhje me interesin e shtetit.

“Ka politikanë zhurmues të cilët e disponojnë ‘vulën’ e sovranit dhe ‘bekimin e baballarëve’, por luajnë futboll jashtë fushe, bile kungullin e ofrojnë për pjepër. Kësaj a duhet dhënë fund… A kemi opozitë, apo cili është misioni i opozitës?”, ka shkruar Ramiz Lladrovci.

Ai ka përmendur edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se nuk pret ndryshim nga ai sa i përket qasjes politike.

“Nga Abdixhiku nuk kam pritur e as pres të bëhet çka nuk është, lidhur me situatën politike dhe drejtimin që ka marrë shteti. Hallin e kam te bashkëpartiakët dhe idealistët që kanë qenë të pranishëm në orën e historisë dhe e kanë dhënë provimin”, ka theksuar ai.

Lladrovci ka komentuar edhe debatet juridike rreth dekretit për shpërndarjen e Kuvendit nga presidentja, duke thënë se juristët që sipas tij kanë dështuar ta vlerësojnë këtë dekret, duhet të heshtin për çështje të ngjashme në të ardhmen.

“Rast i mirë për identifikimin e profesionistëve, është debati pas Dekretit të Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit. Ata juristë që dështojnë për ta vlerësuar këtë Dekret, do të duhej të heshtin për çështjet e ngjashme në të ardhmen. Dështuan për ta interpretuar një dekret”, ka shkruar ai.

Sipas tij, njësoj si juristët që kanë dështuar në interpretimin e dekretit, edhe politikanët që nuk arrijnë ta lexojnë mesazhin e qytetarëve duhet të tërhiqen nga politika.

“Ashtu sikur dështakët në vlerësimin e Dekretit, sepse kemi dy palë, pala pro dhe pala kundër, edhe politikanët që dështojnë ta lexojnë drejt mesazhin e qytetarit, nevojat dhe rrugën që ka marrë Kosova, do të duhej të hiqnin dorë nga ky ‘sport’”, ka theksuar Lladrovci.

Ai ka ngritur pyetje për rolin e idealistëve dhe intelektualëve në situatën aktuale politike.

“Pyetja ime është pse nuk janë bashkë idealistët, të cilët e deshtën më shumë Kosovën se jetën e tyre… Ku janë qytetarët dhe në veçanti dora e intelektualëve për ta bërë dallimin e fjalës nga vepra?”, ka shtuar Ramiz Lladrovci.

Të ngjashme