Ambasada e Kosovës në Austri: Dy kosovarë humbin jetën në aksidentin në kantierin e ndërtimit në Vjenë

Prishtinë | 18 Mar 2026 | 07:25 | Nga Ekonomia Online

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka njoftuar se dy shtetas të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në kryeqytetin austriak.

Sipas njoftimit të Ambasadës, ngjarja ka ndodhur në distriktin Alsergrund, ku gjatë punimeve ndërtimore një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë disa punëtorë të bllokuar nën rrënoja, njofton Dukagjini.

Autoritetet austriake kanë konfirmuar se në mesin e viktimave janë edhe dy shtetas të Kosovës: Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliu (1977).

Ambasada e Kosovës në Austri ka shprehur dhimbje të thellë për këtë tragjedi, duke u dërguar ngushëllime familjeve të viktimave dhe të gjithë të prekurve nga rasti.

Po ashtu, bëhet e ditur se ambasada është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe është duke ndjekur nga afër zhvillimet, ndërsa është angazhuar për të ofruar mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave.

Ambasada, mes tjerash, ka bërë të ditur se do të informojë opinionin publik për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.

Të ngjashme