OKB: Lufta në Liban po lë nga 30 fëmijë të plagosur ose të vrarë çdo ditë

Prishtinë | 18 Mar 2026 | 11:35 | Nga Ekonomia Online

Lufta në Liban po lë pasoja të rënda tek fëmijët, ku çdo ditë po vritet ose plagoset një numër i barabartë me një klasë nxënësish, sipas një zyrtari të lartë të UNICEF.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Liban, të paktën 111 fëmijë janë vrarë dhe 334 janë plagosur nga sulmet izraelite që nga 2 marsi, kur grupi i armatosur Hezbollah iu bashkua konfliktit rajonal duke qëlluar drejt territorit izraelit. Kjo përkthehet në rreth 30 fëmijë të prekur çdo ditë, raporton Reuters.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i UNICEF-it, Ted Chaiban, tha se situata është alarmante: “Kjo është një klasë fëmijësh çdo ditë që ose vriten ose plagosen në Liban që nga fillimi i luftës”.

Sipas tij, përveç viktimave, lufta ua ka marrë fëmijëve ndjenjën e normalitetit dhe sigurisë. Në nivel rajonal, rreth 1,200 fëmijë janë vrarë në javët e fundit – afro 200 në Iran, katër në Izrael dhe një në Kuvajt.

“Fëmijët po paguajnë një çmim të tmerrshëm. Kërkesa jonë e parë është ulja e tensioneve dhe një zgjidhje politike për këtë luftë”, tha Chaiban për Reuters në Bejrut.

Ndërkohë, Izraeli ka deklaruar se nuk synon qëllimisht civilët dhe se paralajmërimet para sulmeve u japin atyre kohë të mjaftueshme për t’u larguar.

Të ngjashme