Janina Ymeri i drejtohet Qeverisë Kurti: Me fakte tregoni si e rriti SuperPuna punësimin

Prishtinë | 21 Mar 2026 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri ka reaguar përmes një postimi lidhur me platformën “SuperPuna”, duke vënë në pikëpyetje efektin e saj në rritjen e punësimit në vend.

“SuperPuna nuk e ka rritur punësimin. Numri i të punësuarve primarë të regjistruar në ATK, as numri i llogarive aktive në Trust, nuk ka dallim të konsiderueshëm para dhe pas lansimit të kësaj platforme”, ka shkruar Ymeri.

Sipas saj, pretendimet e qeverisë për rritje të punësimit përmes kësaj nisme janë të pabazuara. 

“Kjo është një nga rrenat e radhës e qeverisë VV për gjoja rritjen e punësimit, një narracion që mund të demantohet lehtësisht me fakte”, është shprehur ajo.

Deputetja ka theksuar gjithashtu se ulja e papunësisë nuk lidhet me hapjen e vendeve të reja të punës në Kosovë, por me migrimin e qytetarëve. 

“Shkalla e papunësisë është lehtësuar nga ikja e mbi 11 mijë personave për punë jashtë vendit, për lejeqëndrim pune, vetëm brenda një viti, e jo nga punësimi në Kosovë”, ka shtuar Ymeri.

Ajo i ka bërë thirrje kabinetit qeveritar për transparencë dhe debat publik. 

“Ftoj kabinetin qeveritar VV, qoftë Kurti 2 apo Kurti 3, që të argumentojnë me fakte se si ‘SuperPuna’ ka rritur punësimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin ekonomik. Për këtë argumentim i pres në cilëndo studio, në ballafaqim”, ka deklaruar ajo.

Ymeri ka kritikuar drejtimin aktual të vendit. 

“Le ta dinë të gjithë se ky vend me Kurtët, në qeveri e rrymë, nuk po zhvillohet por po zvogëlohet”, shtoi ajo.

Të ngjashme