Rritja e çmimeve të derivateve të naftës po ndryshon nga momenti në moment.
Kjo rritje po ndodhë si pasojë e luftës që po zhvillohet ën Lindjen e Mesme.
E, kësaj rritje nuk i ka shpëtuar as Kosova, shkruan Ekonomia Online.
Një litër naftë në orët e pasditës po kushton deri ne 1.79 euro.
Qytetarët e pyetur nga Ekonomia Online po theksojnë se rritja e çmimit të derivateve është e papërballueshme për standardin e Kosovës.
Diana Demaj, qytetare nga Prishtina tha për Ekonomia Online se rritja e çmimit nuk është konform pagës së qytetarëve në Kosovë dhe se është vështirë të jetohet.
“Kjo rritje e naftës dhe benzinit nuk është e mirëseardhur tek ne, mbasi edhe rrogat nuk janë që po rriten, do të thotë çmimet edhe ushqimi edhe nafta, benzini të gjitha po ngriten mirëpo rrogat po mbesin njëjtë, do të thotë vështirë që janë të përballueshme, do të thotë çdo familje tash ka ankesa është vështirë për me jetu, plus kur e dimë që rrogat nuk janë edhe aq të mira në Kosovë, nuk po vlerësohemi shkurt e shqip. Si do të ja bëjmë nuk e di”, tha Demaj.
Demaj, deklaroi se për t’u zgjidhur ky problem duhet të shikohet niveli i çmimeve dhe jo të ketë çmime si në Evropë edhe në Kosovë.
“Paj zgjidhja duhet pak t’i shikojnë edhe nivelizimin e çmimeve, edhe une e di që edhe tregu do të thotë luan rol në tregun botëror edhe tek ne, mirëpo ata duhet ta dinë si e kemi ne standardin, ne nuk mund të krahasohemi me evropianët edhe me shtetet që do të thotë janë më të forta se ne”, tha Demaj.
Njëjtë mendon edhe qytetari tjetër Rexhep Selimi i cili konsideron që çmimi është shumë i lartë dhe sugjeron uljen e TVSh-së.
“Tregu botëror e rregullon atë besoj, tanaj po ndikon edhe tek ne, qeshtu shkon zingjir. Valla sosht e përballueshme, për kushtet tona këtu në Kosovë është e lartë. Besoj që duhet me i liru duhet me marrë masa shteti diçka, me ulë TVSh-në a çka po di ato, me ndiku diçka se për besë shumë shtrenjtë, shtrenjtë është, për standard tonin është shumë”, tha Selimi për EO.
Për ngritjen e çmimit të derivateve të naftës sot ka reaguar edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Rukiqi, ka shkruar se me një vendim të vetëm, çmimi i naftës bie në 1.35 euro./Ekonomia Online


