Ahmeti takohet me përfaqësues të Panamasë, diskutohet për bashkëpunim në kulturë, arsim dhe ekonomi

Prishtinë | 26 Mar 2026 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Panama, ku edhe ka mbajtur një sërë takimesh me përfaqësues të lartë institucionalë të këtij vendi, me fokus thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e kulturës, arsimit dhe ekonomisë.

Zëvendësministri Ahmeti, takoi Ministren e Kulturës, María Eugenia Herrera, ku u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy vendeve.

Në këtë kuadër, u trajtua edhe pjesëmarrja e Baletit Kombëtar të Kosovës në aktivitete kulturore në Panama, si dhe u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit në fushën e kinematografisë.

Ndërkaq, në takimin me Kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme, Ëalkiria Chandler D’Orcy, u diskutua për avancimin e bashkëpunimit parlamentar. Në këtë drejtim, u theksua se shumë shpejt do të themelohet Grupit i Miqësisë, Kosovë–Panama ndërmjet dy parlamenteve, si një mekanizëm konkret për forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale.

Në takimin me Zëvendësministren e Tregtisë së Jashtme, Astrid Àbreg Gonzalez, u bisedua për inicimin e marrëveshjeve për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve dhe për eliminimin e tatimit të dyfishtë. U theksua rëndësia e organizimit të takimeve ndërmjet bizneseve nga të dy vendet, bashkëpunimi në fushën e teknologjisë së informacionit si dhe u vlerësua gatishmëria e palës panameze për të ndarë përvojat e saj në fushën e logjistikës dhe tregtisë.

Të ngjashme