Rriten rastet me kancer të gjirit, Kolgeci: 73 raste këtë vit

Prishtinë | 28 Mar 2026 | 08:02 | Nga Gzim Mujaj

Numri i rasteve me kancer të gjirit të trajtuara në Klinikën e Kirurgjisë Torakale ka shënuar rritje gjatë këtij viti, duke arritur në 73 operime krahasuar me 55 sa ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, në një intervistë për Ekonomia Online tha se kanceri i gjirit vazhdon të mbetet ndër sëmundjet më të shpeshta që trajtohen në këtë klinikë dhe se trendi është në rritje krahasuar me vitin paraprak.

“Si gjithëherë, numri i sëmundjeve më të shpeshta që ne i trajtojmë janë sëmundjet e kancerit të gjirit, që faktikisht është një sëmundje që në kohët e fundit quhet si sëmundja e shekullit. Dhe në qoftë se e llogarisim si në start, në qoftë se e bëjmë një krahasim me vitin e kalum me këtë vit, numri është më i madh sesa i vitit të kalum. Domethënë për periudhën e ngjashme që kemi qenë vitin e kaluar edhe këtë vit, vitin e kaluar kemi pasë 55 raste që i kemi kalu me kancer të gjirit, që i kemi operuar me kancer të gjirit, ndërsa këtë vit është numri me 73 raste. Domethënë është diku rreth 15 raste më shumë sesa vitin e kaluar”, tha ai.

Kolgeci bëri të ditur se në klinikë po aplikohen metoda bashkëkohore të trajtimit, përfshirë edhe metodën “sentinel”, e cila sipas tij nuk zbatohet gjerësisht në rajon, por në Kosovë ka filluar të përdoret me sukses.

“Ju them me përgjegjësi të plotë se ekziston një staf shumë i mrekullueshëm, mjaft i përgatitur për trajtimin e sëmundjeve të tilla. Po ashtu edhe teknikat të cilat neve jemi duke i zbatuar, ne nuk po them që jemi me ato që e kanë shtetet e perëndimit, por jemi në trend me kohën, faktikisht po mundohemi të jemi në trend me kohën që trajtohen qysh si trajtohen edhe në vendet e tjera. Ju e përmendët atë metodën sentinel, metoda sentinel nuk zbatohet në shumë vende të Ballkanit, tek neve zbatohet edhe kemi fillu vitin e kaluar dhe është t’u apliku me shumë sukses”, tha ai.

Sipas tij, një pjesë e madhe e rasteve trajtohen me këtë metod që mundëson ruajtjen e gjirit, duke shmangur ndërhyrjet radikale.

“Po vitin e kalum ka qenë diku rreth 73 raste(janë trajtuar me metodën “sentinel”). Edhe kjo e mira e kësaj është se këto 73 raste që kanë qenë trajtuar vitin e kalum, shkojnë në kuadër të sëmundjeve të kancerit të gjirit që shkojnë me kursim të gjirit. Që domethënë se kjo pjesë e, te këto raste, kanceri është largu, është bë kuadrant ose është hequr një pjesë e gjirit, por nuk ka qenë e nevojshme që të hiqet komplet gjiri. Që domethënë që ka qenë edhe lehtësi, edhe është një diçka e mirë edhe për popullatën po sidomos për pacientet qe vuajnë nga sëmundjet të kancerit të gjirit”, tha ai.

Kolgeci, foli edhe për listat e pritjes, duke thënë se ato janë relativisht të shkurtra dhe pacientët me kancer trajtohen me prioritet.

“Lista e pritjes ekziston çdo kund në botë edhe tek neve ne e kemi një listë të pritjes, po lista e pritjes është jashtëzakonisht e vogël. Është diku rreth 3 javë që pacientët, në momentin që diagnostifikohen deri në momentin kur realizohet intervenimi kirurgjik është rreth 3 javë, që është e mjaftueshme për pacientin që të përgatitet edhe me analizat e tjera të cilat janë të nevojshme, siç janë scintigrafia apo analizat e tjera që janë të domosdoshme për intervenim kirurgjik. Normalisht në këtë fazë këta pacientë përgatiten edhe nga ana e pulmologut, edhe nga ana e kardiologut sepse është e nevojshme që para intervenimit kirurgjik t’i kemi edhe konsultat e këtyre mjekëve. Më gjatë unë po ju them se në vendet e tjera, në shtetet e perëndimit ekziston lista, unë mendoj që është shumë më e gjatë sesa tek neve. Po ne kemi listë të pritjes, po kemi listë të pritjes më shumë për ato pacientë të cilët vuajnë prej sëmundjeve që s’kanë tumore të gjirit, që nuk janë urgjente, përndryshe kanceri tek neve trajtohet faktikisht me shumë prioritet”, tha ai.

Kolgeci bëri të ditur se klinika nuk ka mungesë të stafit dhe se aktualisht ka 12 kirurgë aktivë, ndërsa tre të tjerë pritet të punësohen së shpejti, çka sipas tij do të rrisë edhe më tej kapacitetet për trajtim.

“Jo, stafi për kirurgji torakale aktualisht ne kemi 12 kirurgë edhe i kemi 3 të cilët janë në pritje për punësim, që shpresojmë që edhe ata shumë shpejt do të bashkohen në klinikën tonë. Përndryshe me këto 15 veta sa jemi, është e mjaftueshme që klinika t’i përballojë me sukses çdo ndërhyrje apo punët e tjera të përditshme që i bëjmë në klinikën tonë”, tha ai./Ekonomia Online

Të ngjashme