Haxhiu kërkon ndryshim të rregullores pas debatit për ekspozitën, shpreh keqardhje

Prishtinë | 30 Mar 2026 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se vendimi për çështjen e ekspozitës është marrë në Kryesinë e Kuvendit, ndërsa përgjegjësia për përmbajtjen mbetet tek autorët, raporton Ekonomia Online.

Ajo shprehu keqardhje për situatën e krijuar, duke theksuar se janë prekur familjet dhe qytetarët.

“Në raport me çështjen e ekspozitës, më lejoni që në emër të kryesisë së kuvendit të shprehim keqardhjen tonë për atë çfarë ka ndodhur. Ndihemi shumë keq për të gjitha familjet, palët që janë prekur më së shumti dhe sidomos për qytetarët e republikës së Kosovës. Pas këtij rasti si kryesi e kuvendit do të ndërmarrim hapa për ndryshimin e rregullores ekzistuese me qëllim që të formojmë komisione të posaçme profesionale që vlerësojnë kërkesat e tilla sepse rregullorja për subvencionim nuk parasheh një gjë të tillë.

Apo në anën tjetër siç u përmend edhe në mbledhjen e kryesisë së kuvendit, siç bëjnë sidomos ekzekutivi ku bëhen thirrje publike paraprakisht e pastaj mbështeten projektet e caktuara nga ana e komisioneve profesionale”, tha ajo.

Haxhiu theksoi se një praktikë e tillë është zbatuar edhe më herët në Ministrinë e Drejtësisë për mbështetjen e projekteve përmes thirrjeve publike dhe vlerësimit profesional.

“Për shembull sa unë kam qenë ministre e drejtësisë kështu kemi vepruar, në fillim të vitit është bërë thirrja, kanë aplikuar organizata me projekte të ndryshme dhe ministria e drejtësisë ka mbështetur ato projekte përkatësisht komisionet profesionale, ato projekte që kanë vlerësuar që lidhen me çështje sociale dhe familjare. Pra edhe në mbledhjen e kryesisë së sotme u diskutua si një mundësi e tillë por që pas ndryshimit që do të bëhet në rregulloren ekzistuese. Dua të ritheksoj se kuvendi i republikës së Kosovës nuk e ka organizuar ekspozitën. Nën patronatin tim si kryetare e kuvendit është organizuar vetëm një ekspozitë dhe atë më 6 mars. Pra më 6 mars, në 3 ditët e epopesë së ushtrisë çlirimtare”, tha ajo.

Të ngjashme