Tahiri: Historia e UÇK-së, është historia më e lavdishme e kombit shqiptar

Prishtinë | 30 Mar 2026 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri nga protesta e veteranëve të luftës së UÇK-së, ka thënë se është shqetësues fakti kur ka tendenca për ndryshim të historisë sonë të lavdishme, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, dihet që dëmet e shkatërrimet në vendin tonë janë bërë nga Millosheviçi.

“Konsideroj që është shqetësim edhe për shoqërinë, edhe për institucionet, për të gjithë kur shohim tendenca të tilla për me e ndryshu përmbajtjen dhe për me ndryshua historinë tonë të lavdishme. Pra të gjithë ne jemi dëshmitarë. Realisht ka edhe pjesë që kanë qenë të atyre masakrave, të mbijetuar që dëshmojnë e faktojnë se edhe kush ka qenë viktimë, edhe kush ka qenë ai që i ka bërë dëmet, ai që i ka bërë masakrat. Pra të gjithë e dimë se dëmet e shkatërrimet në vendin tonë i ka bërë Sllobodan Millosheviçi, ndërkohë populli ynë në mënyrë të lavdishme, të ndershme, dinjitetshme e ka mbrojtur pragun e shtëpisë dhe në bazë të mbrojtjes, sakrificës dhe luftës tonë të lavdishme, ne sot e kemi edhe lirinë edhe shtetin”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri, ka shtuar se të gjithë duhet të jenë në mbrojtje të vlerave tona çlirimtare.

“Andaj sot me shumë përgjegjësi jam bashkuar kësaj organizate për me shpreh këtë pakënaqësi nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo konsideroj që të gjithë bashkë si shoqëri duhet të jemi në mbrojtje të vlerave tona çlirimtare, mirëpo mbrojtje edhe të institucioneve tona. Andaj kërkoj që prokuroria të marrë veprimet e saj të menjëhershme në mënyrë që ta hetojë përmbajtjen e atij libri dhe ta hetojë, ta zbulojë tendencën përmes atyre çfarë janë prezantuar dhe në mënyrën qysh kanë ardhë për me u mbështet dhe me pas promovim, po ashtu edhe prezantim në sheshin e Prishtinës”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërsa, kur është pyetur rreth deklaratave të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla rreth katërshes së UÇK-së, e cila deklaroi se nuk i takon asaj në këtë fazë të jep rekomandime, shkak që sipas saj, kjo gjykatë është votuar nga Kuvendi i Kosovës, Tahiri deklaroi se këto deklarata e turpërojnë vet atë.

“Me thanë të drejtën janë deklarata që e turpërojnë atë, nuk i bëjnë nder as institucionit që e përfaqëson. Tek pjesa e Gjykatës Speciale, tek pjesa e vlerave të luftës, si komb, jo vetëm si shtet por si komb të gjithë duhet të jemi krenarë e të mburremi, sepse historia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është historia më e lavdishme e kombit shqiptar. Dhe grupformacioni i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është formacioni më i lavdishëm. Jemi me fat që sot ne e kemi edhe lirinë edhe shtetin. Andaj të gjithë bashkë edhe si institucione por edhe si shoqëri duhet t’i mbrojmë institucionet edhe t’i mbrojmë vlerat kombëtare dhe t’i promovojmë me mburrje e me krenari”, ka deklaruar ai.

Të ngjashme