Nënat e futbollistëve – heroinat e pafestuara të fushës

Prishtinë | 01 Pri 2026 | 09:11 | Nga Besa Ismaili-Ahmeti

Në tribunat e ftohta, mes zhurmës së turmës dhe britmave të lojës, ekzistojnë zemra që rrahin më fort se të gjithë: zemrat e nënave .

Ato nuk mbajnë fanellë, nuk shënojnë gola, nuk duartrokiten  nga publiku – por pa to, shumë nga ata që shkëlqejnë në fushë nuk do të arrinin kurrë deri aty.

Nënat e futbollistëve (në Kosovë janë me mijëra) janë ato që vuajnë në heshtje. Ato që lajnë çorapet me gjak, që fshijnë baltën nga rrobat dhe lotët nga sytë e djemve të tyre.

Çdo njollë është një histori përpjekjeje, çdo plagë një kujtim sakrifice. Ndërsa të tjerët shohin vetëm rezultatin, ato shohin rrugën e gjatë dhe të vështirë që e ka sjellë atë moment.

Ato rrinë në ankth për çdo rrëzim në fushë. Për çdo përplasje, për çdo britmë dhimbjeje. Por ankthi i tyre nuk ndalet vetëm te lëndimet trupore. Ato ndjejnë edhe plagët emocionale të djemve të tyre, zhgënjimet, padrejtësitë, frustrimet, momentet kur ndihen të nënvlerësuar apo të lënë pas dore.

Kur ekipi i dëshpëron, kur trajneri bullizon, kur ndodh talenti u vihet në hije nga padrejtësia, janë nënat ato  që u qëndrojnë pranë. Me fjalë të buta, me përqafime të forta, me besim të palëkundur. Ato janë zëri që u thotë: “Mos u dorëzo. Ti vlen. Je ende i ri. Vazhdo përpara.”

Ato janë motivimi i parë dhe i fundit. Ato që zgjojnë djemtë herët për stërvitje, që sakrifikojnë kohën, energjinë dhe edhe veten. Ato që besojnë edhe kur askush tjetër nuk beson, madje as baballarët e tyre si tifozët e tyre më elegantë.

Nënat e futbollistëve nuk janë thjesht spektatore. Ato janë shtylla, forca e padukshme që mban në këmbë ëndrrat e djemve të tyre. Ato që përveç ëndrrës primare mundohen të ua mbjellin djemve edhe një ëndërr të dytë, një plan rezervë, një plan B – shkollimin – në rast se të duhet të jetosh e të hash bukë. Sepse në Kosovë, futbolli është aq dashni e pakusht për këta mijëra mijëra djem por edhe vajza sa u mungojnë edhe kushtet elementare për stërvitje dhe zhvillim.

Dhe në fund  të çdo loje, çdo stërvitjeje, çdo ndeshjeje, kur djemtë u kthehen në shtëpi dhe i kanë pranë, përtej çfarëdo rezultati, kur fiken dritat dhe s’dëgjohen më brohoritjet, fyerjet, sharjet, duartrokitjet….janë pikërisht nënat fitueset e vërteta!

P.S

Ky djali në foto (Shuajb Ahmeti) do ta çoj Kosovën 🇽🇰 në botëror herën e radhës!

Besomni, parashikim nga burime të sigurta, se ua thotë nëna e tij!

Të ngjashme