Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Bylbyl Sokoli, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, komentoi eliminimin e Kombëtares së Kosovës nga kualifikimet për Kupën e Botës, raporton Ekonomia Online.
Ai theksoi se, megjithëse “Dardanët” nuk arritën të kualifikohen, paraqitja e tyre solli respekt ndërkombëtar për vendin. Sipas tij, futbollistët përfaqësuan Kosovën me dinjitet dhe krenari gjatë kualifikimeve për Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
“Për herë të parë po dal në këtë foltore, dhe është një nder i veçantë për mua që sot të flas për një arritje të rëndësishme të sportistëve tanë. Gjatë kualifikimeve për Kampionatin Botëror, që do të mbahet në ShBA, Kanada dhe Meksikë, futbollistët tanë përfaqësuan me dinjitet dhe krenari shtetin tonë”.
“Ata treguan përkushtim, sakrificë dhe shpirt garues, duke bërë që emri i Kosovës të dëgjohet dhe të respektohet në arenën ndërkombëtare. Kjo paraqitje nuk ishte vetëm në garë sportive, por edhe një mesazh i fortë që Kosova ka talent, ka vullnet dhe ka potencial për të arritur më shumë”, tha deputetit.
“Sot më shumë se kurrë, sportistët i kanë rrugët e hapura. Me këtë rast dua t’i falënderoj futbollistët, stafin dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë rrugëtim. Ju faleminderit që na bëtë krenarë dhe përfaqësuat vendin tonë me nderë”, tha ai.
Ai tha se Kosovës i duhet një infrastrukturën më moderne, kushte më të mira për zhvillim dh enjë bazë ligjore funksionale që mbështet sportin.
