Në konferencën për media pas takimit të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, dhe homologut të tij nga Shqipëria, Andis Salla, u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit mes dy vendeve, raporton Ekonomia Online.
Ministri Muja tha se bashkëpunimi me Shqipërinë do të fokusohet në rritjen e prodhimit vendor të ushqimit, lehtësimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
“Ne posa përfunduam një takim me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, zotin Andis Salla. Ne patëm mundësinë dhe kënaqësinë të diskutojmë edhe në format të zgjeruar me stafet e dy ministrive, sa i përket një numri të gjatë të prioriteteve.
Fillimisht ne diskutuam për çështjen e marrëveshjeve paraprake dhe mundësinë që ato të lehtësohen edhe përmes afateve dhe stafit mbështetës shtesë që do të përkushtohet për zbatimin e tyre. Po gjithsesi, tema kryesore e diskutimit ishte prodhimi i më shumë ushqimi, qoftë andej, qoftë këtej. Të dy vendet tona janë importuese të ushqimit dhe është nevojë e përbashkët që ne, si dy vende, t’i koordinojmë hapat drejt prodhimit të më shumë produkteve bujqësore për të plotësuar sa më shumë që është e mundshme nga nevojat e konsumatorit të dy vendeve. Gjithashtu diskutuam pak edhe tek çështja e komplementaritetit, se çfarë mund të koordinohet në hapat e prodhimit bujqësor, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, dhe u dakorduam që të vazhdojmë diskutimet në këtë drejtim. Diskutuam mbi nevojën e rëndësishme të promovimit të standardeve të Bashkimit Evropian tek siguria ushqimore, dhe diskutuam edhe për mundësinë dhe hapat që duhet t’i marrim për thjeshtësimin dhe reduktimin e çfarëdo barriere që mund të pengojë kontaktin midis bizneseve tona. Dhe si përfundim, ishte kënaqësi që të shohim edhe progresin që ka arritur edhe Shqipëria tek avancimi i standardeve të Bashkimit Evropian. Ne ekzistojmë sigurisht për t’i shërbyer shoqërive tona, por destinacioni përfundimtar është Bashkimi Evropian, dhe sa më herët që adaptohen kriteret dhe standardet, aq më mirë për tregjet edhe për njerëzit tanë”, tha Muja.
Ndërsa ministri Salla tha se palët janë dakorduar për forcimin e koordinimit ndërinstitucional, zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe përfshirjen e bizneseve në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Jam sot këtu bashkë me ekipin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë për të bashkëbiseduar dhe për të rënë dakord për disa nga pikat të cilat ne së bashku kemi pasur marrëveshje midis qeverive të vendeve tona, për disa nga pikat e zhvillimit që deri tashmë kemi bërë. Por ajo çfarë është më e rëndësishme, atë çfarë ne kemi rënë dakord së bashku për të koordinuar midis institucioneve dhe marrëveshjeve institucionale midis dy vendeve dhe dy ministrive, ku partneriteti është midis institucioneve, por edhe midis shkëmbimeve tregtare shumë të mira midis dy vendeve tona, ku kemi rënë dakord sot për të ulur në tryezë edhe bizneset dhe të gjithë aktorët të cilët janë midis koordinimit të punëve dhe zhvillimit që ne do të vazhdojmë më përpara midis dy vendeve.
Por edhe atë çfarë është e rëndësishme: koordinimi i punës së përbashkët dhe zhvillimit të përbashkët midis dy vendeve, ku është për t’u theksuar që sot është një ditë ku ne, përveç këtyre që kemi rënë dakord, do të vazhdojmë për të koordinuar më mirë punën dhe atë që ramë dakord për marrëveshjet që do të bëjmë edhe midis dy vendeve në Tiranë. Kjo është për t’u theksuar, pasi midis doganave tona që nuk ka më, por midis institucioneve të cilat ne jemi në koordinim të përbashkët midis dy institucioneve që janë, qoftë AKU-ja, qoftë zhvillimet e tregtare, por edhe atë çfarë ne duhet të bëjmë me hapat e mëtejshëm që me sigurinë ushqimore midis dy vendeve.
Edhe atë çfarë diskutuam midis shkëmbimeve tregtare të mëtejshme, por edhe koordinimit të turizmit apo promovimit të turizmit në të dyja vendet, midis dy vendeve është për t’u theksuar. Dhe më vjen mirë që dy vendet tona nuk janë më vetëm midis institucionesh, por edhe midis një pune të përbashkët që do të koordinohet në institucione, por edhe midis ministrive”, tha ministri Salla.

