Kusari-Lila: Nuk ka krizë furnizimi, inspektimet për operatorët e derivateve vazhdojnë

Prishtinë | 03 Pri 2026 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila në foltoren e Kuvendit foli për çështjen e derivateve,  raporton Ekonomia Online.

Kusari-Lila në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet përmendi edhe procesin zgjedhor duke theksuar se është parë se kush ka gabuar.

“Është e rëndësishme të diskutojmë, është e rëndësishme të kemi trajtim të mirëfilltë profesional të shifrave, por gjithashtu është e rëndësishme që përvojat e deritashme, qoftë në raport me politikën fiskale, me rishpërndarjen e buxhetit e gjithashtu edhe me ndikimin që e kanë në jetën e qytetarëve t’i kemi parasysh kur kërkojmë diçka të ditës së sotme.

Mjaftueshëm është bërë edhe përvojë, mjaftueshëm janë marrë edhe masa, edhe kemi parë efekte, përfshirë edhe ato demokratike apo procese zgjedhore për të parë se kush e ka pasur më të drejtë e kush e ka pasur gabim.

Tani po e diskutojmë çështjen e derivateve dhe shumë këtu u fol në raport me mungesë inspektimesh, në raport me mungesë të informatave. Unë besoj që ju e dini që informatat janë të përditësuara në baza ditore, do të thotë qoftë edhe në sasitë e importit të naftës, edhe në masat të cilat i ka marrë qeveria, por gjithashtu edhe në shkeljet eventuale që janë bërë në raport me masën“, tha ajo.

“Tani më lejoni ta bëj një digresion të vogël dhe t’ju tregoj se pas vendimit që kemi marrë me 4 mars, i cili skadon me 4 prill, në raport me vendosjen e marzhës së fitimit për bizneset qofshin ato me shumicë apo edhe ato me pakicë, çfarë ka ndodhur në raport me veprimet tona dhe përcjelljen e situatës. Do të thotë, vendimi i datës 4 mars është vendimi i parë në fakt nga vendet e rajonit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve e cila nuk ka qenë një ndërhyrje e pakontrolluar, por ka qenë një masë e targetuar për të kufizuar marzhat e pajustifikuara që zakonisht ndodhin në situata të tilla edhe ku ka spekulime të mëdha, do të thotë si masa e parë për të parandaluar spekulimet me çmimet. Gjatë këtyre javëve, janë realizuar 200 inspektime në bashkëpunim të ngushtë të institucioneve, jo vetëm Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, por Administrata Tatimore e Kosovës dhe Autoriteti i Konkurrencës. Nga të dhënat e siguruara gjatë gjithë kësaj periudhe kohore ka pasur katër shkelje të cilat subjektet ekonomike, operatorët për shitjen e derivateve i kanë bërë në raport me moszbatimin e marzhës më të lartë. Të katërta janë shqiptuar dënimet konform ligjit në fuqi dhe gjithashtu janë përcjellë pastaj me vizita të tjera respektivisht në përcjellje të situatës në raport me çmimet se masa e dytë pas masës së parë ka të bëjë me tërheqje të licencës për operim tërësisht.

Sa i përket vlerës apo sasisë së importuar të derivateve të naftës në raport me vitin e kaluar po, ka rënie. Në raport me muajt janar, shkurt dhe mars ka një stabilitet, një mesatare e cila ende nuk mund të kategorizohet si krizë. Çka do të thotë se përderisa ka pas rritje të çmimit nuk ka pasur rënie të ndjeshme të furnizimit dhe është element bazë se në rast të kërkesës dhe ofertës ende kërkesa është pak a shumë në vijat e kufirit të përballueshëm në të cilin nuk mund të thuhet se ka krizë situatën e furnizimit“, u shpreh ajo.

“Ne jemi të vetëdijshëm që struktura ekonomike e Republikës sonë në raport me pjesëmarrjen e industrisë është e tillë që nuk ka kërkuar sasi më të madhe të litrave, siç ka ndodhur në disa vende të Bashkimit Evropian apo vende të zhvilluara ku është kufizuar veprimi nga pesë ose gjashtë ditë në javë në katër ditë si rrjedhojë e kursimit të derivateve apo moshyrjes së derivateve në treg. Është ajo çfarë desha gjithashtu t’ju informoj që ndërlidhja edhe sipas agjencisë së statistikave të rritjes së çmimit të derivateve në raport me rritjen e çmimit të produkteve nuk është në masën sa është rritur çmimi i derivateve. Megjithatë pesha kryesore në shportën e konsumatorit ka të bëjë me projektligjin për masat e përkohshme në rast të destabilizimit të tregut“, theksoi Kusari-Lila.

Të ngjashme