Ofendoi familjen Haradinaj, arrestohet i dyshuari në Pejë

Prishtinë | 04 Pri 2026 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Një person është arrestuar në Pejë nën dyshimin për ngacmim dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 3 prill 2026, rreth orës 18:00, në sheshin “Shkëlzen Haradinaj”. I dyshuari, dyshohet se përmes një postimi në rrjetet sociale ka ofenduar familjen Haradinaj duke publikuar një video incizim.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri – pistoleta, njëra prej tyre me katër copë fishekë”, thuhet në raportin e Policisë.

I dyshuari është intervistuar nga organet e rendit, ndërsa me vendim të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Familja Haradinaj nga Gllogjani i Deçanit është një familje e njohur për kontributin në luftën e Kosovës.

Vëllezërit Haradinaj, përfshirë Ramushin (ish-Kryeministër), Dautin dhe dëshmorët Shkëlzen e Enver, u bënë simbol i rezistencës kundër forcave serbe.

Të ngjashme