I dënuari me 20 vjet burgim për rëmbimin e zhdukjen e një personi, është arrestuar pas shumë vitesh në arrati.
Shtetasi i Shqipërisë, Adrian Ogiçi, është kapur nga autoritetet spanjolle, pasi 40-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Pas arrestimit, pritet ekstradimi i tij në Shqipëri.
“Në vijim të bashkëpunimit me partnerët për shkëmbimin e informacionit mbi vendndodhjen, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimi të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi, në Spanjë, i shtetasit Adrian Ogiçi, 40 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas është i dënuar me 20 vite burg për kryerjen e veprave penale “Rrëmbimi i personit” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim”, njofton policia.
Për rrëmbimin dhe zhdukjen në qytetin e Saradanës të Ridvan Lamajt, Gjykata e Krimeve të Rënda në 2017, kishte shpallur fajtorë dy persona, duke i dënuar në total me 39 vite burgim për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të Ridvan Lamajt, për fatin e të cilit që prej 2015, ende nuk dihet më asgjë.
Në këtë rast, i dyshuari si bashkëpunëtor, Adrian Ogiçi ishte dënuar me 20 vjet. Organi i akuzës dyshon se rrëmbimi i Lajamt kishte ndodhur për shkak të prishjeve të pazareve të drogës. Sipas prokurorisë, e cila raportoi asokohe se dyshimet ishin për aktivizimin e Lamajt si korrier droge dhe pas zhdukjes së një dërgese me hashash rrëmbyesit kanë dyshuar tek 37-vjeçari.