Një muaj paraburgim ndaj pjesëtarit të MUP-it të dyshuar për krime lufte në Kaçanik

Prishtinë | 07 Pri 2026 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.D., nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” gjatë vitit 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut.

Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

I pandehuri dyshohet se kreu veprën penale si pjesëtar i MUP-it në Ferizaj dhe polic i trafikut në regjionin e Kaçanikut.

“Sipas kërkesës, A.D., në cilësinë e pjesëtarit të MUP –it në Ferizaj dhe polic i trafikut në regjionin e Kaçanikut, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan. Ndërsa nëntëdhjetë e një (91) meshkuj u ndanë nga rreth katërqind (400) burra, gra, pleq e fëmijë të grumbulluar, dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

13 nga civilët, sipas Prokurorisë, u ndaluan, u rrahën e u maltretuan në mënyrë çnjerëzore nga i dyshuari A.D.

“Sipas kërkesës, prej tyre, trembëdhjetë (13) civilë u ndaluan me qëllim të marrjes në pyetje, me ç‘rast u rrahën dhe u torturuan në mënyrë brutale, çnjerëzore, fizike dhe psikike nga i pandehuri A. D., duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit”, njoftoi Prokuroria.

Të ngjashme