Fisnik Asllani është bërë emri më i përfolur ndër futbollistët shqiptarë në javët e fundit.
Ylli i ri i Kombëtares së Kosovës e ka zgjuar interesimin e klubeve të mëdha evropiane pas formës së jashtëzakonshme që po e kalon në këtë edicion.
E njëri prej klubeve që po e kërkon më me ngulm 23-vjeçarin është Barcelona, shkruan “Gazeta Express”.
Gjiganti katalunas po e vëzhgon me kujdes futbollistin e Hoffenheimit, i cili e ka arritur formën kulmore në këtë sezon.
Asllani i ka realizuar 10 gola dhe i ka bërë 8 asistime në këtë sezon deri tash në të gjitha garat me ekipin gjerman.
Dhe, Barça e sheh atë si zëvendësues ideal të Robert Lewandowskit, i cili pritet të largohet nga Camp Nou gjatë verës që po vjen.
Ndërkohë, “Blaugrana” janë njoftuar edhe me çmimin që duhet ta paguajnë për ta bërë të vetin sulmuesin shtatlartë.
Sipas mediave ndërkombëtare, Hoffenheimi nuk e ka ndërmend ta lëshojë yllin e tij për një shumë më të vogël se 50 milionë euro.
Ndonëse vlera e tij në treg, përkatësisht në “Transfermarkt” është 30 milionë euro, klubi gjerman konsideron se Asllani vlen edhe një herë aq.
Krahas Barcelonës, interesim për futbollistin kosovar ka shfaqur edhe gjiganti bavarez, Bayern Munich.
E në Angli atë e pëlqejnë Chelsea dhe Tottenhami.
Asllani është një sulmues i fuqishëm dhe me aftësi për të bashkëpunuar me bashkëlojtarët, përpos instinktit të rrallë për të shënuar gol.
Përpos që realizon gola, ai jep kontribut domethënës edhe në ndërtimin e aksioneve dhe bën asistime për shokët.
Një profil i ngjashëm me atë të Lewandowskit.
Mosha e re dhe mundësia për t’u bërë lojtar edhe më i madh, janë arsyet që Barça s’e ka ndërmend të humb shumë kohë dhe të hidhet në ofanzivë për përfaqësuesin kosovar.