Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, njëherit shefe e GP të Lëvizjes Vetëvendosje para seancës së Kuvendit është pyetur se a e ka deklaruar pasurinë pranë Agjencionit Kundër Korrupsion (AKK).
Nagavci, ka thënë se këtë e ka bërë brenda afatit të rregullt, pra para datës 31 mars.
Ndërsa, kur është pyetur se a ka pasur rritje të pasurisë, e njëjta duke buzëqeshur ka thënë “jo nuk është rritë pasuria, është rrit kredia”, ka deklaruar ajo.
“Po e kam deklaruar pasurinë, brenda afatit të rregullt, para datës 31 mars…. Jo nuk është rritë pasuria, është rrit kredia”, ka thënë Nagavci.
Më 31 mars në ora 00:00 ka përfunduar procesi i deklarimit të pasurisë në Kosovë, ku deklarimi i pasurisë për zyrtarët publikë zhvillohet në tri faza: me marrjen e detyrës, përfundimin e saj dhe përmes deklarimit të rregullt vjetor për vitin paraprak.
Sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mbi 10 mijë e 350 zyrtarë janë të obliguar për deklarimin e rregullt këtë vit.
Autoritetet kanë paralajmëruar se menjëherë pas përfundimit të afatit do të nisin procedurat ndëshkuese.
Vitin e kaluar janë shqiptuar mbi 130 gjoba për vonesa, përfshirë edhe zyrtarë të lartë. Agjencia u bën thirrje të gjithë zyrtarëve që ta respektojnë afatin, duke theksuar se transparenca mbetet thelbësore për besimin e qytetarëve në institucionet publike.
