Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se ekonomia shqiptare po rritet në mënyrë të qëndrueshme, e mbështetur nga rritja e vazhdueshme e investimeve të huaja direkte, të cilat sipas tij po e pozicionojnë Shqipërinë më lart në rajon.
Në podcastin “Flasim”, Rama theksoi se në pesë vitet e fundit vendi ka tërhequr investime të huaja në një nivel më të lartë në raport me ekonominë sesa mesatarja e rajonit, duke arritur rreth 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ai shtoi se vetëm në vitin 2024 janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime të huaja, ndërsa në nëntë muajt e parë të vitit 2025 shifra ka arritur në 1.21 miliardë euro, shkruan vizionplus.tv.
Ai shtoi se interesimi në rritje nga investitorët ndërkombëtarë dhe projektet në proces tregojnë se perspektiva ekonomike e vendit është më optimiste, duke u mbështetur në reformat e ndërmarra, stabilitetin ekonomik dhe përmirësimin e klimës së biznesit, të cilat sipas tij kanë krijuar një mjedis më të parashikueshëm për investimet.
Edi Rama: Ekonomia rritet dhe rritet në mënyrë të qëndrueshme edhe sepse investimet e huaja direkte rriten në mënyrë të qëndrueshme. Në 5 vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr më shumë investime të huaja në raport me ekonominë sesa mesatarja e rajonit, duke arritur në afro 7% të Prodhimit të Përgjithshëm, mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor.
Vetëm në vitin 2024 janë certifikuar 1.6 miliardë euro investime, ndërsa në 9 muajt e parë të 2025-ës kemi arritur në 1.21 miliardë, çka konfirmon ritmin e qëndrueshëm të rritjes. Ndërkohë, stoku total i investimeve të huaja ka arritur në 16.6 miliardë euro, një shifër e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë.
Një shifër që tregon qartë se Shqipëria ka ndryshuar pozicionim në rajon, ka ndryshuar qasje dhe impakt, nga një treg që shihej me shumë rezervë, duke u kthyer në një vend ku investohet konkretisht dhe në perspektiva afatgjata.
Dhe, po të llogarisim aplikimet, interesimet dhe mundësitë që shohim nga e gjithë ajo çka është tryeza e dosjeve të agjencive përkatëse, atëherë mund t’ju them me plot gojën se e nesërmja është shumë më e mirë sesa e sotmja. Është një e nesërme rezultatesh që lidhen drejtpërdrejt me çfarë kemi mbjellë me mundim në tërë këto vite, me reformat transformuese që kemi bërë, me stabilitetin ekonomik që kemi krijuar, me përmirësimin në vazhdim të klimës së biznesit dhe me një qasje të strukturuar të investimeve në një mjedis të parashikueshëm për kapitalin afatgjatë.