Rexha: Përzgjedhja e bordit të RTK-së dhe KPM-së krejtësisht jo transparente, të pezullohet procesi

Prishtinë | 15 Pri 2026 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Lëvizja FOL, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe aktivistja Flutura Kusari kanë organizuar konferencë për media për të shprehur shqetësimin rreth procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordeve të RTK-së dhe KPM-së, raporton Ekonomia Online.

Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së, tha se ky proces është krejtësisht jotransparent nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

“Ka shkuar në mënyrë të tillë që ka pasur mungesë të transparencës dhe për këtë opozita e ka bojkotuar komisionin për RTK-në….Deputetët nuk e kanë pasur kohën e  duhur për t’i shqyrtuar dosjen e kandidatëve. AGK kërkon që ky proces të pezullohet dhe të rinis kur të sigurohet që të ketë një proces fer dhe transparent. RTK dhe KPM janë kruciale për lirinë e medias në Kosovë dhe ne dëshirojmë më mirë që të ketë vonesë për anëtarët e bordeve.. Koha në të cilën janë ftuar kandidatët për intervistë ka qenë e kufizuar dhe iu ka pamundësuar që të përgatiten për intervistat që nisin sot. Njëri nga kandidatët është ftuar mbrëmë në orën 9:24 për intervistën sot dhe është një praktikë e cila nuk duhet ndjekur”, tha ai

Ndërsa, Mexhide Mexhide Demolli – drejtore ekzekutive në Lëvizja FOL, deklaroi se ajo se çfarë kanë parë të martën në mbledhjen e Komisionit për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së është krejt e kundërta nga praktikat e kaluara.

“Ajo që kemi parë dje dhe pritet ta shohim sot, është krejt e kundërta nga ajo praktikë e mirë që u ndërtua në të kaluarën. Gjatë zhvillimit të ditës së djeshme pa praninë e kamerave, janë përdorur standard të shumëfishta në shqyrtimin e aplikacioneve. Fillimisht është vendosur që kandidatëve që nuk i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet të eliminohen, pavarësisht që u është dhënë një mundësi e dytë për plotësimin e dokumentacionit. Më pas, gjatë shqyrtimit, disa kandidatëve të caktuar u konstatua edhe pse nuk e kishin dorëzuar gjithë dokumentacionin qoftë edhe atë bazik, pavarësisht një mundësie të dytë, dhe t’ju mundësohet të kalohet tutje”, deklaroi ajo në një konferencë të jashtëzakonshme.

Demolli përmendi edhe procesin e intervistimit, për të cilin tha se kandidatët nuk do të jenë të barabartë, pasi do të ketë pyetje të ndryshme.

“Komisioni ka ndryshuar metodologjinë pa asnjë arsyetim duke favorizuar në mënyrë të hapur të paktën disa kandidatë dhe një nga ato është përjashtuar në mënyrë të kundërligjshme. Procesi i intervistimit, praktikat kanë qenë që deputetët e Kuvendit të Kosovës, sidomos ata që janë pjesë e komisionit ad hoc, të bëjnë përzgjedhjen e pyetjeve që të jenë të gjitha njësoj, gjë që nuk ka ndodhur në rastin konkret”.

“U udhëzua administrata e këtij komisioni që të përgatisë 20 deri në 30 pyetje, prej të cilave kandidatët do të zgjedhin nga tri. Me këtë gjë, kanë arritur që kandidatët që do të jenë pjesë e intervistimit nuk do të jenë të barabartë. Do të ketë pyetje të ndryshme, dhe kjo nuk ka ndodhur në të kaluarën”, u shpreh ajo.

Kurse, juristja e mediave Flutura Kusari ka folur për elementet që e kanë karakterizuar procesin e përzgjedhjes së bordit të RTK-së që është në proces por edhe të anëtarëve të KPM-së të cilat karakteristika sipas saj janë tipike kur një parti në pushtet synon të kap një institucion të pavarur.

“Po flas pak për elementet që e kanë karakterizua edhe procesin e përzgjedhjes së bordit të RTK-së që është në proces por edhe të anëtarëve të KPM-së të cilat karakteristika janë tipike kur një parti në pushtet synon të kap një institucion të pavarur. Fillimisht me përmend që niveli i kualitetit i kandidatëve të cilët kanë kandidua është jashtëzakonisht i ulët është shumë vështirë me gjet profesionist aty të cilët e meritojnë me qenë anëtar të bordit të RTK-së dhe kjo ka ndodhë se profesionistët nuk i besojnë Lëvizjes Vetëvendosje që do të zhvillojë një proces fer, transparent dhe sipas meritokrasicë. E dyta u përmend që mbrëmë në orët e  vona të natës janë ftua kandidatët për të ardhë sot në intervistë. Kjo është përqeshje me procese të rëndësishme demokratike që ky Kuvend është i thirrur t’i zhvillojë.Ta ftosh një person që do të shërbejë tre, katër vite në RTK rreth orës 22 të natës për t’u paraqitur nesër në mëngjes për intervistë është jo serioze dhe tallje me proceset demokratike…Pastaj kemi standarde të shumëfishta sepse një kandidat favorizohet sepse dihet që është pro Vetëvendosje dhe dikush tjetër përjashtohet për shkak s epo ashtu dihet publikisht që anon nga opozita.. Ne nuk mund ta ndalojmë kapjen e RTK-së dhe të KPM-së e cila do të ndodhë ne ditët në vijim. Ne jemi këtu për ta dokumentuar këtë kapje dhe për të ftuar Lëvizjen Vetëvendosje që të reflektojë edhe njëherë dhe ta pezullojë këto procese sepse Kosova ka qenë kampione e lirisë së medias në rajon dhe ne e kemi humbur këtë titull”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Gzim Shala nga IKD-ja, tha se bordi i RTK-së dhe KPM-së janë bazamente të demokracisë dhe se për shkak të ndërhyrjeve në këto institucione Kosova është ranguar poshtë e më poshtë në indekse dhe në raporte të ndryshme ndërkombëtare.

“KPM si një institucion i pavarur kushtetues dhe si një rregullator i mediave  ka një rëndësi kruciale në fushën e lirisë së shprehjes dhe rolit të mediave në Kosovë. Për këtë arsye së bashku me bordin e transmetuesit publik janë edhe si bazamente të demokracisë. Për shkak të tentativave të shumta dhe të vazhdueshme për ndërhyrje në këto institucione deri më tani Kosova është ranguar poshtë e më poshtë në indekse dhe në raporte të ndryshme ndërkombëtare. Duhet përmendur këtu një fakt. Rreth një muaj më parë një delegacion i Këshillit të Evropës ka qenë në Kosovë dhe ka kërkuar nga kryeministri Kurti pikërisht evitimin e këtyre mangësive që ne sot po i përmendim dhe që fatkeqësisht përkundër kësaj ne po shohim prapë se prapë këto mangësi dhe këto tendenca për ndërhyrje në këto institucione po vazhdojnë”, ka thënë ai.

Të ngjashme