Juristja e medias, Flutura Kusari ka reaguar ashpër ndaj procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve të Radio Televizionit të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur për Media, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Kusari deklaroi se niveli i kandidatëve është “jashtëzakonisht i ulët”. Sipas saj, profesionistët nuk i besojnë Lëvizjes Vetëvendosje se do të zhvillojë një proces transparent të përzgjedhjes.
“Po flas pak për elementet që e kanë karakterizuar edhe procesin e përzgjedhjes së bordit të RTK-së së që është në proces por edhe të anëtarëve të KPM-së të cilat karakteristika janë tipike kur një parti në pushtet synon të kap një institucion të pavarur. Fillimisht me përmend që niveli I kandidatëve që kanë kandiduar është jashtëzakonisht i ulët, është vështirë me gjet profesionist aty të cilët e meritojnë të jenë anëtarë të bordit të RTK-së dhe kjo ka ndodhur për shkak se profesionistët nuk i besojnë Lëvizjes Vetëvendosje që do të zhvillojë një proces fer, transparent dhe sipas meritokracisë”
Kusari ngriti shqetësimin edhe për mënyrën e organizimit të intervistave, duke bërë të ditur se kandidatët për bordin e RTK-së janë ftuar në orët e vona të mbrëmjes për t’u paraqitur sot në mëngjes në intervistë.
“E dyta u përmend, që mbrëmë në orët e vona të natës janë ftuar kandidatët që me ardh sot në intervistë, kjo është përqeshje me proceset e rëndësishme demokratike që ky Kuvend është i thirrur t’i zhvillojë. Ta ftosh një person që do të shërbejë tre, katër vite në RTK rreth orës 22 të natës për t’u paraqitur nesër në mëngjes për intervistë është jo serioze dhe tallje me proceset demokratike”, tha ajo.
