Prokurori i rastit, Naim Abazi, në fjalën përfundimtare në gjykimin për sulmin në Banjskë, ka deklaruar se rasti përfaqëson një përballje të drejtpërdrejtë mes rendit kushtetues të Kosovës dhe një organizimi të armatosur me qëllim terrorist, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, gjatë shqyrtimit gjyqësor janë administruar prova të shumta materiale dhe personale, përfshirë video-incizime, raporte forenzike dhe dëshmi të dëshmitarëve.
Prokurori Abazi theksoi se bëhet fjalë për një organizim të mirëfilltë kriminal me qëllim cenimin e rendit kushtetues, duke shtuar se fillesat e këtij organizimi datojnë që nga viti 2021.
“Sot gjendemi para fillimit të një procesi gjyqësor me rëndësi të jashtëzakonshme për rendin juridik, sigurinë publike dhe vet shtetin e Republikës së Kosovës. Kjo çështje nuk përbën thjesht një procedurë penale kundër disa individëve, ajo përfaqëson një përballje të drejtpërdrejtë ndërmjet rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe një veprimi të organizuar, të armatosur dhe të qëllimshëm për ta cenuar atë.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor janë administruar një numër i madh i provave materiale dhe personale, përfshirë video-incizime, raporte forenzike, analiza të pajisjeve elektronike, dokumente zyrtare, dëshmi të dëshmitarëve dhe të dëmtuarve”.
“Të gjitha këto prova janë siguruar në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe janë shqyrtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kontradiktore para këtij trupi gjykues. Vërtetësia e këtyre provave ndërton një tablo të qartë, koherente dhe juridikisht të pakontestueshme, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një rast të një incidenti të izoluar, por kemi të bëjmë me një organizim të mirëfilltë kriminal, me qëllim terrorist dhe me synim të cënimit të rendit kushtetues të sigurisë së Republikës së Kosovës.
Fillimet e këtij organizimi nuk datojnë realisht nga data 24 shtator 2023. Ato dokumentohen qartë që nga takimi i datës 13 tetor 2021 në qytetin e Rashkës në Republikën e Serbisë, ku është kërkuar armatosje, mobilizim dhe përgatitje për rezistencë të armatosur kundër institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, gjatë viteve 2022 dhe 2023 ka pasur përshkallëzim të veprimeve kriminale, përfshirë sulme ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve, institucioneve zgjedhore dhe KFOR-it.
“Deklaratat e dhëna në atë takim kanë përfshirë thirrje për mbështetje shtetërore dhe veprim të armatosur. Kanë zbuluar elementet thelbësore të kësaj çështjeje, në paramendimin dhe synimin për përdorimin e dhunës si mjet për realizimin e objektivave politike. Ky qëllim nuk mbetet në nivel deklarativ, por materializohet në praktikë.
Në fund të vitit 2022, gjatë vitit 2023, evidentohet një përshkallëzim i qartë i veprimeve kriminale që kanë përfshirë sulmet ndaj Policisë së Kosovës, sulmet ndaj gazetarëve dhe institucioneve zgjedhore, vendosjen e barrikadave dhe përdorimin e mjeteve shpërthyese nëpër vend. Gjithashtu si dhe sulmin ndaj KFOR-it ku janë lënduar mbi 90 ushtarë të KFOR-it.
Këto nuk janë ngjarje të ndara apo të rastësishme. Janë realizuar ushtrime taktike me armë, eksploziv dhe mjete të blinduara luftarake. Dhe gjithashtu janë planifikuar në mënyrë të detajuar operacionet për këtë rast” tha ai.
Prokurori shtoi se provat përfshijnë edhe harta, skica nga dronë, lista eksplozivësh dhe dokumente që dëshmojnë strukturë të organizuar.
“Provat përfshirë harta topografike dhe satelitore nga Google Maps. Po ashtu janë gjetur skica të realizuara përmes dronëve, si dhe dokumentet që parashohin vendosjen e flamujve të Serbisë në pika strategjike në veri të vendit, me qëllim përcjelljen e mesazhit dhe kontrollin dhe prezencën e tyre në atë vend. Gjithashtu është evidentuar një bllanket lidhur me një naftë të furnizuar nga një institucion shtetëror ushtarak i ushtrisë së Republikës së Serbisë që përmban të dhëna personale dhe pozita të zyrtarëve përgjegjës për dorëzimin e tij. Po ashtu është gjetur edhe një listë e detajuar e eksplozivëve me specifikime për llojin, sasinë dhe emërtimin e tyre. Për më tepër është sekuestruar një fletore me emra personash, shënime për ndërrime dhe pozicione të caktuara, si dhe dokumente të identifikimit të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Gjithashtu janë gjetur lista pjesëmarrësish, struktura komanduese dhe dokumente të tjera që dëshmojnë se një organizim i ndërlikuar dhe struktura ushtarake kanë ndodhur, po ndodhin në atë vend”, tha ai.
Duke përshkruar sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ai tha se grupi kishte vepruar sipas planit operacional, duke vendosur barrikada dhe duke sulmuar Policinë e Kosovës me armë të rënda.
Prokurori theksoi se pasojat ishin të rënda, përfshirë vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe plagosjen e disa zyrtarëve të tjerë.
“Në orët e para të mëngjesit grupi ka vepruar sipas planit operacional. Fillimisht kanë vendosur barrikada me kamion, kanë kryer monitorimin e terrenit, janë pozicionuar njësi të armatosura dhe më pas kanë filluar sulmin e drejtpërdrejtë ndaj institucionit, në këtë rast policisë së Kosovës.
Sulmi është realizuar me armë automatike, raketa hedhës, mjete shpërthyese, pamjet filmike dhe raportet forenzike e bëjnë të pamundur çdo interpretim tjetër. Bëhet fjalë për një sulm të organizuar, të koordinuar dhe të armatosur rëndë.
Pasojat janë të rënda dhe tragjike. Humbja e jetës e zyrtarit policor Afrim Bunjaku në krye të detyrës, plagosja e zyrtarëve të tjerë policorë, rrezikimi serioz i jetës së qytetarëve në atë vend, si dhe dëmet e konsiderueshme materiale. Raporti i autopsisë e konfirmon se vdekja ka ardhur si pasojë e përdorimit të mjeteve shpërthyese duke dëshmuar brutalitetin ekstrem të këtij sulmi. Sasia e armatimit të konfiskuar është tronditëse. Armët automatike dhe numri i madh i tyre, raketa hedhëse, mortaja, mina dhe eksplozivë, qindra mijëra fishekë dhe pajisje ushtarake. Ky arsenal nuk i përket logjikës së vetëmbrojtjes personale, por asaj të operacioneve ushtarake. Dhe kjo gjendje faktike rezulton pa asnjë dyshim se janë përmbushur elementet objektive të veprës penale terrorizmit dhe vepra penale kundër rendit kushtetues të sigurisë së Republikës”, tha ai.
Të tre të akuzuarit përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjska të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.



