Homazhe me rastin e 18 Prillit – Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës në Velani, kanë bërë edhe dy ministrat e kabinetit qeveritar, ai i mbrojtjes Ejup Maqedonci, dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti, raporton Ekonomia Online.
Ministri Hoti ka thënë se duhet të bëjnë padi ndaj Serbisë dhe të kërkojnë drejtësi për të rënët.
“Ne përkujtojmë se cfarë sacrifice e madhe ka qenë për me arritë aty ku jemi sot, në lirinë e Kosovës, lirinë e vendit dhe pavarësinë e vendit. Por ne obligohemi edhe si institucione edhe si individë por edhe si shoqëri të kujtojmë këto vlera, të dokumentojmë këto vlera, mos t’i harrojmë këto vlera sepse një gjë ka mbetur mangu, Serbia nga këtu është shporrë por drejtësia nuk është vu në vend ende dhe përmes dokumentimit të këtyre vlerave ne duhet të bëjmë padi ndaj Serbisë dhe ne duhet me kërkua drejtësi ndaj të rënëve në liri”, ka thënë Hoti.
Kurse, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka thënë se sot Kosova po ndërton një ushtri e cila bazament gjithmonë do ta ketë gjakun e derdhur të dëshmorëve.
“Për mua ky përkujtim i Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës është një ngjarje e vecantë sepse i kam takuar pikërisht Njësive të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës që kanë operuar në Komunën e Prishtinës si pjesë e Zonës Operative të Llapit. Pjesën më të madhe të dëshmorëve që po i përkujtojmë sot i kam pas bashkëluftëtarë, kemi bashkëluftaru bashkë, kemi bashkëvepruar bashkë dhe më të vërtetë është nder për secalin që vjen dhe respekton ata të cilët ishin bazamenti i ushtrisë sonë, bazamenti i lirisë sonë dhe ne sot po ndërtojmë një ushtri, po fuqizojmë një ushtri i cila bazament gjithmonë do të ketë gjakun e derdhur të dëshmorëve”, ka thënë ai.
