Identifikimi i tre veprimtarëve të LDK pas 27 vitesh, Haziri: E zbuluam mizorinë ndaj jush

Prishtinë | 20 Sht 2026 | 13:49 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas identifikimit të mbetjeve mortore të disa personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka bërë të ditur se në mesin e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve janë zhvarrosur së fundmi në Mitrovicë, janë identifikuar edhe dy veprimtarë të LDK-së, Idriz Rrecaj dhe Adem Beqiri, si dhe bashkëveprimtari i tyre, Sali Mziu.

“Pas më shumë se 27 vitesh të zhdukur, lajmi i madh është se në mesin e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve janë zhvarrosur së fundmi në Mitrovicë, janë identifikuar edhe Idriz Rrecaj, kryetar dhe udhëheqës i LDK-së në Skënderaj dhe Drenicë, dhe Adem Beqiri, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Mitrovicë”, ka shkruar Haziri.

Ai i ka përshkruar Rrecajn, Beqirin dhe Mziun si veprimtarë të çështjes kombëtare dhe pjesëmarrës në rezistencën në Skënderaj e Mitrovicë.

“Ata ishin veprimtarë e patriotë, idealistë e kontributdhënës të mëdhenj për liri e pavarësi, të cilët, me shembullin e tyre, na mësuan se si duhet atdheu”, ka deklaruar Haziri.

Haziri ka kujtuar edhe pritjen e gjatë të familjarëve për zbardhjen e fatit të tyre, duke theksuar se identifikimi ka ardhur pas më shumë se 27 vitesh.

“Rrugë e gjatë 27-vjeçare me mallin e pritjes. E zbuluam heroizmin tuaj e mizorinë ndaj jush. Shpirtrat e tyre bëjnë dritë në Republikën për të cilën u flijuan”, ka shkruar ai.

Në fund të reagimit, Haziri ka shprehur nderimin për të vrarët: “Lavdi e përjetshme!”

Të ngjashme